Kurti takon homologun nga Vanuatu, shpreh vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me Kryeministrin e Vanuatu, Charlot Salwai, në New York, më 26.09.2024.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate të lëshuar më 27.09.2024.

Në komunikatë thuhet se palët u takuan në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas komunikatës së lëshuar për media, gjatë takimit dy kryeministrat kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në tregti, shkëmbime kulturore dhe edukim dhe për politikat e dy vendeve në përballje me ndryshimet klimatike. 

“Kryeministri trajtoi dhe avancimin e shtetit tonë në tri vitet e fundit, politikat e ndërmarra në sektorë kyçë dhe perspektivën për të ardhmen. Ai nënvizoi sundimin e ligjit, sigurinë, luftimin e korrupsionit dhe iniciativat në fushën e diplomacisë, e për të cilat shprehu gatishmërinë e Kosovës që të ndajë përvojat respektive përmes trajnimeve dhe akademive në vendin tonë”- njofton Zyra e Kryeministrit.

Mes tjerash, në komunikatë thuhet se Kurti ka shprehur vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit për më shumë shkëmbime mes dy vendeve dhe se ka falënderuar kryeministrin Charlot Salwai për takimin dhe bisedën. 

Gjatë qëndrimit në New York, Kurti është takuar edhe kyeministren e Samoas, Fiamē Naomi Mata’afa.

Në këtë takim, në fokus të bisedës ishte fuqizimi i marrëdhënieve dhe ngritja e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët.