Kurti takon diplomatin austriak që nuk ishte kundër ndryshimit të kufijve

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në zyrën e tij një diplomat të huaj që ishte rreshtuar krejtësisht në anën e kundërt të idesë së Albin Kurtit.

Në orët e para të ditës së sotme, kryeministri Kurti ka pritur në takim Wolfgang Petritsch, President i Fondacionit Austriak të Planit Marshall, njëherit ish i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovë, në vitet 1998-1999 dhe kryenegociator i Bashkimit Evropian në Konferencën e Rambujesë.

Wolfgang Petritsch ishte shprehur publikisht pro idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë në fund të vitit 2018.

Kjo ide nuk ishte përkrahur nga institucionet dhe zyrtarët e lartë në Kosovë, përpos ish-presidentit Hashim Thaçi, që publikisht nuk përmendte ndryshimin e kufijve, por i referohej si “marrëveshje përfundimtare me Serbinë ku do të përfshihej korrigjimi i kufirit”. Sipas Thaçit, kjo nënkuptonte bashkimin e 3 qyteteve të Luginës së Preshevës me Kosovën, por jo edhe komunat me shumicë serbe që janë në Kosovë t’i bashkohen Serbisë.

Në nëntor të 2018, Petritsch në një intervistë në emisionin “Jeta në Kosovë” kishte deklaruar se nuk është nga njerëzit që i kanë thënë automatikisht ‘Jo” idesë së shkëmbimit të territoreve.

Ai kishte deklaruar se e mbështet ndryshimin e kufijve nëse palët pajtohen për këtë.

“Ajo që ka ndodhur është se unë jam një nga të paktët që kur u paraqit kjo ide për të cilën për herë të parë kam dëgjuar nga pala kosovare. Unë nuk u takoj njerëzve të cilët automatikisht i kanë thënë JO paraqitjes së kësaj ideje. Pse? Sepse unë besoj që kjo është hera e parë që më bie ndërmend kur në rastin e shkëmbimit të kufijve, të dy palët kanë vendosur ta shqyrtojnë këtë çështje bashkërisht”, thoshte para 2 vitesh e gjysmë diplomati Wolfgang Petritsch.

Pikërisht kjo ka qenë temë diskutimi edhe në takimin e tij të sotëm me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas komunikatës së Zyrës së Qeverisë së Kosovës, Kurti dhe Petritsch kanë folur për procesin e dialogut dhe njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Ndër të tjera, u shkëmbyen mendime për takimin e 15 qershorit në Bruksel për dialogun e ri ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe propozimet e kryeministrit Kurti. U diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një proces që garanton njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Madje, Wolfgang Petritsch në këtë intervistë e kishe konfirmuar se paguhet nga një kompani e cila financohet nga Qeveria e Serbisë.