Kurti takon Borrellin dhe Lajçakun, flasin për zhvillimet e fundit për konvertimin e tabelave

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, vendimi i fundit i Qeverisë për targat ilegale, çështja e energjisë ishin disa nga temat që kryeministri vendit, Albin Kurti i ka diskutuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti i cili po qëndron në Berlin për Samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, sipas komunikatës ka njoftuar Lajçakun dhe Borrellin për zbatimin e vendimit për targat.

“Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit të dënohet nga të gjithë” – thuhet në komunikatë.

Për takimin me Kurtin ka shkruar në Twitter edhe Borrell i cili ka bërë thirrje për përmbajte pas incidenteve të fundit me djegie të veturave të qytetarëve serbë.

Dje, Policia e Kosovës kishte njoftuar se një qytetari serb i është djegur vetura me targa RKS në orët e para të mëngjesit në Komunën e Zubin Potokut.

Në lidhje me këtë rast, ka reaguar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“SHBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturave RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale. ” – ka shkruar Hovenier.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës mori një vendim me të cilin përfshiu një periudhë prej 5 muajsh deri në kohën kur vendosja e tabelave me RSK për veturat që qarkullojnë me targa ilegale do të bëhet e obligueshme.

Fillimisht qeveria vendosi që për 21 ditë të bëhej qortimi i qytetarëve të cilët posedonin vetura me targa ilegale, pas kësaj mase për dy muaj të tjerë do të ketë gjobitje, e më pas targa provuese.

Në fletë-qortimet që do tu shqiptohen qytetarëve me tabela ilegale përmendet edhe fakti se të njëjtit udhëzohen që t’i regjistrojnë veturat e tyre në qendrat e regjistrimit të automjeteve.

Masat e fundit të marra në mbledhjen e qeverisë javën e kaluar Kryeministri Albin Kurti i quajti “seriozitet të qeverisë për të zbatuar vendimin”, por edhe pas “ndjeshmërisë së shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.

Borrell pas takimit me Kurtin: Djegia e makinave e papranueshme, ftojmë të gjithë për përmbajtje