Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës
Kurti takon anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Bertrand Bouyx
Kryeministri, Albin Kurti ka pritur në takim Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Bertrand Bouyx.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, kreu i qeverisë ka falënderuar Bouyxin për përkrahjen e tij në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Debati plenar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës do të mbahet më 18.04.2024.
Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Paris më 27.03.2024 është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.
“Hapi tjetër: një debat plenar – që pritet më 18 prill – dhe një votim nga Kuvendi i plotë mbi Opinionin e tij statutor”- ka njoftuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në rrjetin social “X”.
Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.
Dy trupat kryesorë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.
Këshilli i Europës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.