Kryeministri Albin Kurti në takim me zyrtarë të lartë të SHBA-së në Varshavë . Foto: ZKM
Kurti takoi zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe ministren e Jashtme të Letonisë
Kryeministri Albin Kurti është takuar më 01.10.2024 me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Letonisë, Baiba Brazhe, gjatë qëndrimit të tij në Varshavë të Polonisë.
Ai ka mbajtur takim me Ndihmës-Sekretaren për Mbrojtje, Celeste Wallander dhe ambasadorin Michael Carpenter, asistent i veçantë i presidentit amerikan dhe drejtor i lartë për Europë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Kurti tha se partneriteti Kosovë – SHBA është i palëkundur dhe shprehu falënderim për përkrahjen e tyre ndaj Kosovës.
“Ai shprehu angazhimin e Kosovës në sigurinë e paqen rajonale, teksa shtoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO e Kartën e Adriatikut dhe nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme në fushën e mbrojtjes me ShBA-të, si dhe bashkëpunimin ndërmjet Departamentit për Mbrojtje të ShBA-së dhe Ministrisë sonë të Mbrojtjes” – ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Paraprakisht, në takim me ministren e Jashtme të Letonisë, Kurti ka theksuar rëndësinë e partneritetit në avancimin e interesave të përbashkëta dhe mbrojtjes si dhe promovimin e vlerave që dy vendet ndajnë përballë rreziqeve nga regjimet autokratike.
Mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimi i përvojave të fushën e mbrojtjes dhe sigurisë e raportet e Kosovës me Serbinë ishin disa prej temave të diskutuara në këtë takim, sipas komunikatës së Kryeministrisë.
Kreu i Qeverisë, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe shefi i misionit të Kosovës ne Poloni, ambasadori Drilon Gashi, e ka njoftuar ministren e Letonisë edhe për raportet me Serbinë e sulmin në Banjskë.
“Kurti e njoftoi ministren Braže për zhvillimet në vend, raportet me Serbinë, rreziqet që ajo paraqet për Ballkanin Perëndimor për shkak të lidhjeve të afërta me Rusinë dhe për përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në organizimin dhe ekzekutimin e sulmit terrorist dhe paramilitar të një viti më parë në Banjskë, gjatë të cilit u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërkohë që autorët e sulmit vazhdojnë të jenë të lirë e të mbrojtur në Serbi dhe nga Serbia” – thuhet në komunikatë.
Ata folën edhe për zhvillimet rajonale dhe situatën e sigurisë në Europë e përkrahjen e Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë.
Kryeministri ka shprehur edhe falënderimin e tij ndaj Letonisë për përkrahjen e vazhdueshme e për kontributin e Letonisë në sigurinë e vendit përmes pjesëmarrjes së saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Letonia ka njohur pavarësinë e Kosovës vetëm tri ditë pas shpalljes së saj me 17 shkurt 2008 dhe që atëherë e ka mbështetur Republikën e Kosovës në zhvillimin e saj dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ky takim u realizua pas drekës ministeriale të shtruar nga drejtoresha ekzekutive e Forumit të Varshavës për Siguri, Katarzyna Pisarka.
Kurti e Maqedonci kanë udhëtuar për në Poloni për të marrë pjesë në Forumin e Varshavës për Sigurinë 2024.