Kurti takoi sekretaren e përgjithshme të OSBE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, pritën në takim sekretaren e përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Helga Maria Schmid.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, në takim u folën disa tema.

“Kryeministri Kurti e njoftoi sekretaren Schmid me punët dhe progresin e Qeverisë në këta 7 muaj qeverisje, për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi dhe në veçanti theksoi përkushtimin për zhvillimin e arsimit dual si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në njoftim.

Kurti, edhe në këtë takim, përsëriti qëndrimin se “nuk përkrah nisma rajonale ku nuk është prezent e pjesëmarrëse BE-ja”.

Në anën tjetër, Sekretarja Schmid ka folur rreth procesit zgjedhor por edhe përgatitjeve të ekzekutivit për vetingun.

“Schmid e përgëzoi kryeministrin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si fazë e parë për procesin e vetingut si dhe për progresin mbresëlënës në shumë fusha”, thuhet në njoftim.

“Për procesin e bisedimeve më Serbinë, kryeministri Kurti tha se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke, dhe se të pagjeturit do të mbeten prioriteti i parë”, njofton zyra për medie e Qeverisë së Kosovës.

Në takim ishin edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, zvëndësambasadori Kilian Wahl, zyrtarja e Qendrës për Parandalimin e Konfliktit, znj. Mariana Roibu, dhe zyrtarja ekzekutive e sekretares së përgjithshme, znj.Juliane Ziegler.