Kryeministri Albin Kurti dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme në Francë, Bernard Kouchner, Foto: ZKM

Kurti takoi ish-shefin e UNMIK-ut, Bernard Kouchner, diskutuan për suksesin e intervenimit të NATO-s në Kosovë më 1999

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin e Francës, ku po mbështet ekipin e Kosovës në Lojërat Olimpike 2024, është takuar me ish-ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane në Francë, dhe ish-shefin e UNMIK-ut, Bernard Kouchner.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim Kurti dhe Kouchner kanë diskutuar për suksesin e intervenimit të NATO-s në pranverë të vitit 1999, edhe për periudhën e pasluftës në Kosovë e deri në shpalljen e pavarësisë së saj. 

“Kryeministri Kurti dhe ish-ministri Kouchner ndanë këndvështrimet e tyre mbi ngjarjet politike të asaj kornize kohore, arritjet e Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe tash sukseset e shtetit të Kosovës 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe 25 vjet pas çlirimit të vendit” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Kurti e ka falënderuar Bernard Kouchnerin për kontributin e tij në Kosovë si shef i UNMIK-ut.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e z. Kouchner fillimisht në periudhën 1999-2001 në rolin e tij të përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, dhe pastaj gjatë viteve 2007-2010 si ministër i Punëve të Jashtme të Francës gjatë së cilës kohë, vendi ynë shpalli pavarësinë dhe u njoh nga Franca” – ka njoftuar ZKM.

Në fund, Kurti e ka ftuar në Kosovë ish-ministrin Kouchner sa më parë që është e mundur, pasi për arsye logjistike, sipas ZKM, Kouchner nuk kishte arritur të marrë pjesë në organizimet shtetërore në shënimin e 25-vjetorit të çlirimit, më 10.06.2024.