Kurti takoi drejtuesit e PayPal, kërkon që Kosova të përfshihet në këtë platformë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar drejtuesit e PayPal, një nga kompanitë më të mëdha në botë që mundëson pagesa ndërkombëtare, në Davos të Zvicrës.
Kryeministri theksoi shkallën e lartë të përdorimit të internetit në Kosovë, rritjen e nivelit të shfrytëzimit të tregtisë elektronike e-commerce dhe blerjeve online, si dhe dërgimin e remitencave nga mërgata, si faktorë të rëndësishëm e të dobishëm që PayPal të përfshijë edhe Kosovën në platformë.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se Kurti në takim me me Richard Nash, Zëvendës President i PayPal dhe drejtues i Grupit për Marrëdhënie Globale me qeveri, dhe me Franz Paasche, Zëvendës President i Lartë i PayPal dhe Drejtor i Çështjeve Korporative ka folur për indikatorët pozitivë ekonomikë, rritjen ekonomike impresive dyshifrore, si dhe potencialin që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit.
“Duke potencuar interesat e përbashkëta, projektet dhe planet drejt bërjes së Kosovës si qendër e ardhshme e teknologjisë së informacionit në Evropën Juglindore, kryeministri ftoi drejtuesit e PayPal që të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Zvicër, kryeministri Kurti do të takohet edhe me përfaqësues të tjerë të ndërmarrjeve e liderë politikë, si dhe do të zhvillojë takime me mërgatën atje.
Po ashtu, ai do të marrë pjesë në panelin “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” në Forumin Ekonomik Botëror.
PayPal është ndër kompanitë më të mëdha në botë për pagesa dhe transfere ndërkombëtare, përmes internetit.
Qytetarët e Kosovës nuk mund ta shfrytëzojnë këtë platformë, pasi Kosova nuk është në listën e shteteve ku operon PayPal.
PayPal mundëson tregtinë globale, duke përpunuar më shumë se 9 milionë pagesa çdo ditë, tregojnë të dhënat e kompanisë.