Kurti takohet me zv/kryeministrin e Luksemburgut: Përfituam mbështetje mbi 35 milionë euro për sektorin privat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka përfituar mbështetje mbi 35 milionë euro për sektorin privat nga Luksemburgu, përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit të nënshkruar në mes dy sheteve.
Këtë kryeministri e bëri të ditur gjatë takimit më zëvendëskryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, i cili po qëndon në vizitë zyrtare në Kosovë.
“Jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për ndihmën dhe mbështetjen e Luksemburgut përgjatë viteve në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë por edhe për kontributin në sektorin e sigurisë përmes KFOR-it dhe EULEX-it. E vlerësojmë shumë mbështetjen në fushën e shëndetësisë, sundimit të ligjit dhe administratës publike. Ndihma nga Luksemburgu për Kosovën është lart mbi mesataren e shteteve të BE-së në raport me territorin dhe numrin e popullsisë së saj. Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen edhe kontributin tuaj” – citohet të ketë thënë Kurti në takim.
Në këtë takim, sipas Zyrës së Kryeministrit, është diskutuar rreth raporteve ndërshtetërore, fushat e bashkëpunimit dhe rreth përfitimeve bilaterale që Kosova dhe Luksmeburgu kanë në fusha të ndryshme.
“Ata gjithashtu diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare që viteve të fundit kanë shënuar një trend të rritjes dhe mundësitë për investime. Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri veçoi fushën e teknologjisë dhe të energjisë si sektorë me potencial të madh të vendit tonë dhe pozitën e përshtatshme gjeografike, sistemin tatimor, fuqinë punëtore profesionale dhe shumëgjuhëshe, progresin demokratik dhe stabilitetin institucional si përparësitë që ofron Kosova” – thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti gjithashtu ka përgëzuar zëvendëskryeministrin Bettel për përurimin e objektit të ri të ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, i cili u inaugurua mbrëmë – 04.11.2024, duke e cilësuar atë si “dëshmi e raporteve të forta dhe infrastrukturë për t’i thelluar edhe më shumë ato”.
Zëvendëskryeministri Bettel gjatë ditës së djeshme – 04.11.2024 është takuar edhe më zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, si kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvallën.
Konjufca ia prezanton zv.kryeministrit të Luksemburgut sistemin e ri elektronik të votimit në Kuvend