
Kurti takohet me William Walker, flasin për librin e tij që dokumenton Masakrën e Reçakut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së.
Në këtë takim u fol për historinë e viteve të fundit të Kosovës, me theks te Masakra e Reçakut dhe dëshminë e Walkerit për këtë ngjarje.
Kurti ka shprehur mirënjohje për angazhimin e Walkerit për promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë.
Tutje në takim u fol edhe për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të mundësuar botimin e librit të kujtimeve të William Walkerit përmes të cilit dokumentohet Masakra e Reçakut.
“Kryeministri Kurti shtoi se ky libër dhe këto dëshmi të ambasadorit Walker do të shërbejnë si një mjet për promovimin e së vërtetës për Kosovën dhe për forcimin e narrativës ndërkombëtare që vendi ynë ka përjetuar gjenocid nga ana e shtetit të Serbisë. Vepra si ky libër na ndihmojnë të ruajmë kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme, si Masakra e Reçakut.” – thuhet mes tjerash në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Tutje, në komunikatë thuhet se u vlerësua angazhimi i Qeverisë për realizimin e këtij projekti dhe se më 11.01.2023 u miratua vendimi për financimin e hulumtimit, shkrimit, redaktimit, përkthimit, shtypit dhe promovimit të librit.
Mjetet që u ndanë për këtë libër ishin 70 mijë euro.
“Ky financim do të sigurojë që ky libër të arrijë deri tek audienca më të gjera dhe të kontribuojë në edukimin e brezave të rinj për historinë e Kosovës dhe luftën e saj për liri” – thuhet tutje në komunikatë.
Ky libër, sipas ZKM-së, pasqyron prespektivën e Walkerit dhe “dhe është një pasqyrë e vërtetë dhe e pazëvendësueshme e ngjarjeve që ndodhën më 15 janar 1999, në fshatin Reçak”.
‘Akt i rëndësishëm’ cilësohet ky libër, i cili në komunikatë thuhet që kontribuoi në dokumentimin dhe shpërndarjen e dëshmive për krimet e kryera nga regjimi i Serbisë në Kosovë.
Kjo duke çuar përpara njohjen ndërkombëtare të gjenocidit që ka ndodhur gjatë luftës.
“Libri kujton viktimat e masakrës së Reçakut dhe nderon të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës” – thuhet tutje në komunikatë.
Qeveria thotë se është e angazhuar që përgjegjësit për gjenocidin të përballen me drejtësinë.