Kurti takohet me Scholz, diskutojnë edhe për propozimin evropian për normalizim të mardhënieve Kosovë- Serbi

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka takuar edhe Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz dhe ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna.

Kurti në këtë takim ishte I shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

Ky takin erdhi në kuadër të Konferencës për Siguri që po mbahet në Mynih të Gjermanisë.

Në këtë takim sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, u bisedua për progresin në vend, që është evidentuar edhe nga shumë organizata ndërkombëtare si dhe Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, progres të cilin e përshëndeti Kancelari Scholz.

“Rritja ekonomike, sundimi i ligjit, mbështetja sociale dhe demokratizimi institucional e shoqëror kanë avancuar gjatë dy viteve të fundit, theksoi kryeministri Kurti”- thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Scholz dhe ministren Colonna se Qeveria e Republikës së Kosovës së fundmi ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara me 3 nëntor në Berlin, që së shpejti do të ratifikohen edhe në Kuvend, duke dëshmuar kështu përkushtimin tonë për Procesin e Berlinit.

“U fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, si dhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve, të pranuar tashmë si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe kornizë solide për të ecur përpara”- thuhet në njoftim.