Kurti takohet me përfaqësuesit politik, kulturor e shoqëror të komunitetit turk në Kosovë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, kanë pritur sot në takim përfaqësuesit politik, kulturor e shoqëror të komunitetit turk në Kosovë, me rastin e 23 Prillit, festë kjo zyrtare të qytetarëve të komunitetit turk në Kosovë.

Në këtë takim, kryeministri Kurti u’a uroi të gjithë qytetarëve të komunitetit turk në Kosovë këtë ditë, e cila në Turqi përkon me Ditën e Sovranitetit dhe Festën e Fëmijëve.

“Kryeministri uroi që kjo ditë e veçantë, që flet për diversitetin kulturor dhe trashëgimor që ka Kosova, të shërbejë si simbol i integrimit sa më të madh të komunitetit turk në Kosovë, si dhe afrimit të Kosovës me Republikën e Turqisë, si fuqi regjionale ekonomike dhe vend i rëndësishëm i NATO-s”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, përfaqësuesit e komunitetit turk pasi e uruan kryeministrin Kurti për detyrën e tij, theksuan se Kosova është atdheu i tyre dhe ashtu siç kanë qenë bashkë në çdo fazë historike, janë të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë të saj.