Kurti takohet me përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njofton për zhvillimet në vend
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 18.09.2024, është takuar me përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në krye me koordinatoren, Arnhild Spence.
Në takim ka qenë i pranishëm edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, temë e diskutimit ishin prioritetet dhe projektet e Qeverisë dhe bashkëpunimi me këto agjenci në avancimin e tyre.
“Në veçanti, është diskutuar për bashkëpunimin në zhvillimin ekonomik përmes mbështetjes ndaj bizneseve e turizmit, sidomos në pjesën veriore të vendit tonë. Po ashtu, është diskutuar për zhvillimin e transportit urban për lidhjen më të mirë ndërmjet lagjeve e qyteteve”- thuhet në njoftim.
Kurti i ka informuar të pranishmit rreth punës më shumë se tre vjeçare të Qeverisë dhe sipas tij, “progresin e arritur i cili është dëshmuar edhe nga rangimi i Kosovës në indekse e matje ndërkombëtare, duke u udhëhequr mbi parime të demokracisë, mirëqenies sociale, sundimit të ligjit dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim”.
Ai ka përmendur mes tjerash krijimin e 15 mijë vendeve të reja të punës edhe përmes platformës “Superpuna”, rritjen e punësimit për gratë, ku me masat e qeverisë u mbështet punësimi i mbi 12 mijë grave.
“Ai shtoi se edhe në veriun e vendit po punohet për rritjen e vendeve të punës dhe të mundësive të barabarta për të gjithë, përfshirë këtu edhe përfitimet nga programet e efiçiencës së energjisë”- thuhet në njoftim.
Zyra e Kyrministrit ka njoftuar se që një vit tani, Qeveria e Republikës së Kosovës ka gjetur zgjidhje të ligjshme për bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara, që mbron sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës.
Ndërsa thuhet se ky bashkëpunim është i frytshëm dhe sjell bashkëpunim të jashtëzakonshëm në fushën e sundimit të ligjit, mirëqenies sociale, punësimit, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e digjitalizimit të shërbimeve.