Kurti takohet me Myftiun Tërrnava, diskutohet Projektligji për Liritë Fetare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava për të biseduar për Projektligjin për Liritë Fetare.

Kurti shprehu mirënjohje për Myftiun Tërnava për përkrahjen dhe kontributin e dhënë nga ai dhe Bashkësia Islame e Kosovës.

“Në takimin e përbashkët me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe këshilltaren ligjore të Kryeministrit, Tea Blakaj Hoxha, u bisedua edhe për Projektligjin për Liritë Fetare. Kryeministri Kurti e falënderoi Myftiun Tërnava për bashkëpunimin për këtë projektligj” – thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Gjatë takimit u theksua se Qeveria e merr me seriozitet garantimin dhe respektimin e plotë të lirisë fetare, në mënyrë të barabartë, për të gjithë qytetarët pa dallim.

Njoftim ka lëshuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës ku thuhet se edhe Myftiu Tërnava në emër të Kryesisë së BIK-ut falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën, ku u diskutua edhe për gjendjen aktuale në të cilën gjendet vendi.