Kurti takohet me kryetarin e Preshevës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot është takuar me një delegacion nga Presheva të kryesuar nga Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

“Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, mirëpriti një delegacion nga Lugina të kryesuar nga Kryetari i Komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi, Nënkryetari i kësaj komune, z. Armend Aliu, Kryetari i Degës së Alternativës për Ndryshim – Dega Bujanoc, z. Arben Pajaziti dhe Shefi i Zyrës për të Rinj në Preshevë, z. Altin Boriçi”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

Në këtë takim Arifi e ka uruar Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit dhe për mbarëvajtjen e drejtë dhe të rregullt të gjithë procesit.

“Pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës në këto zgjedhje tregon se interesimi për politikën dhe besimi për ndryshime janë në rritje dhe se kjo është një gjë e mirë si për Kosovën ashtu edhe për gjithë shqiptarët”, është shprehur Arifi.

Ndërsa Kurti ka thënë se Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të angazhohen më shumë për shqiptarët, e bashkërisht të bëjnë më shumë për ta, sidomos në Luginë, me qëllim që të rritet punësimi e të bie emigrimi, të shtohet cilësia në arsim e të realizohen të drejtat kombëtare e njerëzore.