Kurti takohet me komunitetin boshnjak e shqiptar që jetojnë në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Këshilltaren Politike të Kryeministrit, Ardita Sinani kanë pritur në takim përfaqësues politikë të komuniteti boshnjak e shqiptar që jetojnë nën Serbi.

Me përfaqësuesit boshnjakë dhe shqiptarë Kurti ka diskutuar edhe për elementet përbërëse të propozimit evropian për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Për dallim nga Serbia që nga Freedom House klasifikohet si shtet me regjim hibrid, Republika e Kosovës është shtet demokratik me të drejta dhe liri për të gjithë”- ka theksuar Kurti.

Sipas njoftimit, Kurti ka shtuar komunitetet e ndryshme pa dallim duhet të trajtohen në kuadër të principeve universale e në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

Tre deputetët në Kuvendin e Serbisë që pranojnë Kosovën e pavarur, Enis Imamovic, Selma Kucevic dhe Shaip Kamberi, së bashku me Sulejman Ugljanin, kanë potencuar që janë të pakënaqur me statusin e boshnjakëve dhe shqiptarëve në përgjithësi e posaçërisht në komunat e Novi Pazarit, Tutinit e Sjenicës në Sanxhak si dhe të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Luginë.

“Ata kërkuan reciprocitet të të drejtave me serbët në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.