Kurti takohet me komandantin e KFOR-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot takim me komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneral major Ferenc Kajari.

Pjesë e takimit ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Kurti gjatë takimit shprehu mirënjohjen për rolin e vazhdueshëm të KFOR-it në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Kryeministri e njoftoi komandantin Kajari edhe për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të mbajtur mbrëmë, si dhe konkluzionet nga kjo mbledhje lidhur me bashkëpunimin sa më të ngushtë me NATO-n, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Në këtë takim u ritheksua gatishmëria e Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) për komunikim, bashkëpunim e bashkërendim të veprimeve për ruajtjen e ambientit të qetë dhe të sigurt, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, njofton Qeveria e Kosovës.