Foto: ZKM

Kurti takohet me gjeneralë të KFOR-it, flasin për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Gjeneral Brigade, Joachim Hoppe dhe Gjeneral Brigade Ralf Hammerstein, drejtor i ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s (NALT) në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në njoftim thuhet se Gjenerali Hoppe këto ditë e përfundon mandatin si Drejtor i NALT dhe këtë detyrë do të fillojë ta ushtroj Gjeneral Hammerstein.

Kurti ka falënderuar gjeneralin Hoppe për mbështetjen e pakursyer të tij dhe ekipit të tij për ngritjen profesionale të FSK-së dhe zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Hoppe tha se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK janë duke ecur në drejtimin e duhur në përputhje me planet e tyre zhvillimore dhe se këshillimi për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së po bëhet në përputhje me standardet e vendeve të NATO-s.

“Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti e uroi Gjeneralin Hammerstein për detyrën dhe përgjegjësinë e re si Drejtori i NALT dhe e siguroi atë që bashkëpunimi me ekipin e NALT do të vazhdojë me synim avancimin e mëtejmë”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.