Foto: ZKM

Kurti takohet me Escobarin në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të takimit të sotëm në Bruksel është takuar me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar për takimin e sotëm mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

“U diskutua për takimin e sotëm, agjendën dhe pritjet, teksa u theksua nevoja e zbatimit të plotë, në mirëbesim dhe pa kushtëzime të asaj që është dakorduar me 27 shkurt në Marrëveshjen Bazë dhe 18 mars në Planin e Zbatimit”- thuhet në njoftim.​

Në komunikatë bëhet e ditur se Kurti gjithashtu ka falënderuar Escobarin për mbështetjen e SHBA-së me rastin e votimit në fazën e parë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ishte një takim miqësor e produktiv, të cilin kryeministri Kurti e filloi duke e falënderuar z. Escobar për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e votimit në fazën e parë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar atë të arritur meritore të Republikës së Kosovës”- njofton ZKM-ja.

Sot në Bruksel pritet të mbahet takimi i radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas BE-së, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell së bashku me emisarin special për dialog, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët.

Takimi i përbashkët është paraparë të fillojë nga ora 18:00.

Në njoftim bëhet e ditur se palët pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës.

Pika e dytë e rendit të ditës pritet të jetë diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit, i cili është përpiluar nga ekipi menaxhues.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, pak para takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se statuti i Asociacionit duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Ohër, më 18 mars, kur edhe u dakorduan për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.