Kurti takohet me drejtorin për zgjerim të BE-së, flasin për kandidaturën e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman për aspektet e procesit të integrimit të Kosovës në BE dhe perspektivën për avancimin e kandidaturës për anëtarësim të dorëzuar nga Kosova.
Kurti këtë takim e ka mbajtur në Bruksel më datë 20.09.2024, njofton Zyra e Kryeministrit.
Kosova aktualisht, është i vetmi vend europian, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Më 15.12.2022, Kurti ia kishte dorëzuar në Pragë letrën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, ministrit për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek.
“Në takim u trajtuan edhe çështje tjera të ndërlidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe për nevojën e funksionalizimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi parimet e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha shtetet e rajonit”- shkruan ZKM.
Kurti, sipas ZKM-së, tha se Kosova është e interesuar që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionalizohet, sidomos tani kur shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit, dhe ‘shtoi se kjo duhet arritur duke avancuar në drejtimin e afrimit të rajonit me standardet evropiane, si ato në fushën e ekonomisë, ashtu edhe ato në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit’.
Ndërkaq, Kurti theksoi se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia. Për këtë të fundit, ZKM njoftoi se Kurti tregoi se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë.
Në takim, ZKM thotë se u diskutua edhe fillimi i zbatimit të Planit të Rritjes, si instrument i Komisionit Europian i krijuar për t’i dhënë shtysë të madhe afrimit sa më të shpejtë dhe përmbajtjesor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
“Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që është proces i ndarë por që ka ndikim në zgjerimin e BE-së, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se e ka në interes përmbylljen e këtij procesi- shkruan në njoftim.
Në këtë kuptim, shkruan se kryeministri ia ka konfirmuar drejtorit Koopman qëndrimin në mbështetje të Marrëveshjes bazë dhe Planit Zbatues, të arritura vitin e kaluar.
“Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së”- njofton ZKM.
Sipas ZKM-së, Koopman porositi se përkushtimi i institucioneve evropiane në Bruksel për integrimin e Kosovës dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është i fortë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe me përbërjen e ardhshme të Komisionit Europian.
Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor janë takuar më 19.09.2024 në Bruksel.
Takimi konsiderohet se vjen si shenjë e përkushtimit të saj për të mbështetur rajonin dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, ka bërë thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Europian.
Sipas njoftimit të Qeverisë, ai ka kërkuar që Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim.
Po ashtu, Kurti ka kërkuar të hiqen masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat i ka cilësuar si të padrejta.
Ndërsa, sa i përket Planit të Rritjes, Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.