Foto: Albin Kurti/Facebook

Kurti: Ta luftojmë pabarazinë dhe padrejtësinë

Në Samitin e Paqes së Evropës Juglindore që po mbahet në Tiranë, fituesi i zgjedhjeve sipas rezultateve preliminare dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e ka mbajtur fjalën hyrëse së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe Ambasadorin amerikan, Christopher Hill.

Kurti para të pranishmëve theksoi se para 30 viteve ka qenë një mur që na ka ndarë, me rënien e të cilit ka përfunduar Lufta e Ftohtë, por sot ka disa mure të vegjël që na ndajnë midis nesh dhe brenda nesh.

“Për paqe kemi nevojë kudo dhe tërë kohën. Sepse ajo është mundësia që njerëzit, qytetarët, popujt, shoqëria të lulëzojnë”, ka shtuar Kurti.

Më tej, Kurti theksoi se paqja ka nevojë që të luftohet për pabarazi dhe padrejtësi dhe për marrëdhënie më të mira fqinjësore.

“Ama paqja ka nevojë që të luftojmë varfërinë e papunësinë, pabarazinë e padrejtësinë. Dhe, ka nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore midis vendeve tona duke i bërë aktive vlerat dhe interesat e përbashkëta, drejt BE-së e NATO-s, për zhvillim, mirëqenie e siguri. Ballkani perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrën”, ka potencuar Kurti. 

Në Samitin e Paqes është duke marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po ashtu ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve.

Thaçi theksoi se paqja në rajon varet nga paqja e përhershme mes Kosovës dhe Serbisë.

Kujtojmë se Albin Kurti, fituesi i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, sipas rezultateve preliminare, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një takim disa orësh me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kurti është pyetur nga gazetarët rreth temave që janë diskutuar gjatë këtij takimi. Ai para gazetarëve ka folur për marrëdhëniet me Ramën dhe koalicionin me LDK-në.