Foto: ZKM
Kurti: Strukturat paralele serbe brenda Kosovës kanë humbur betejën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka deklaruar se strukturat paralele serbe brenda Kosovës e kanë humbur betejën.
“Strukturat paralele serbe brenda Kosovës, ato realisht e kanë humbur betejën. Serbët në Kosovë janë çliruar nga ato struktura kriminale, por nuk ka entuziazëm dhe nuk ka lumturi, e kjo po më shqetëson. Dua të jenë të lumtur. Vitin tjetër do të kemi zgjedhjet lokale dhe unë shpresoj që legjitimiteti të jetë më i madh”- ka thënë ai.
Kurti në një ligjëratë në Universitetin Yale, në Shkollën Jackson për Çështjen Globale, ka folur për të arriturat e Kosovës gjatë 25 vjetëve të fundit.
Ndërsa ka thënë se historia e Kosovës është histori e njohjes së vuajtjes nga shtetet aleate të fuqishme siç është SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca.
Ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe çështjen që pesë shtete të bllokut ende nuk e njohin Kosovën.
“Presim vitin e ardhshëm që Komisioni Evropian t’ia dorëzojë Kosovës mijëra pyetje së bashku me statusin e shtetit kandidat. Në një anë e patëm liberalizimin e vizave pa këto mosnjohje. Spanja njohu pasaportat e Kosovës, e me pasaportën e Kosovës shkon në Madrid. Nuk ishte kështu para 1 janari të këtij viti. Po ashtu kemi MSA-në që është marrëveshje kontraktuale që kemi me BE-në. Por, për t’iu bashkuar BE-së ne duhet të na njohin ato pesë shtete mosnjohëse, sa më shpejt më mirë. Punojmë në forume multilaterale por edhe në takime biletarale. Atmosfera drejt njohjes është më e mirë. Ka hapa të vogël konkretë. Nuk jemi ende te ajo pika kur ato do t’i bashkohen shumicës”- u shpreh Kurti.
Ai ka përmendur edhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre nuk është thjesht historik apo fetar, por i bazuar në interesa ekonomike dhe ideologjike.