
Kurti s'shkoi për të dhënë dëshmi, reagon Prokuroria Speciale
Të martën, më 04.03.2025, në ora 10:00, kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte një Urdhër nga Gjykata Themelore në Prishtinë për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale, në cilësinë e dëshmitarit.
Por, Kurti nuk shkoi në Prokurori. Ai rreth orës 10:00 u pa në Gjilan, në nisje të një Çerdhjeje të re.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar duke thënë se në rastin e kryeministrit Kurti do të veprojë sipas legjislacionit në fuqi.
“Dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij, edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij më 04.03.2025, në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.” – thuhet në reagim.
Prokuroria thotë se do ta respektojë legjislacionin në fuqi.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet e tjera do të veprojë duke respektuar legjislacionin në fuqi.” – përfundon reagimi i Prokurorisë Speciale.
Kryeministri Albin Kurti është urdhëruar që dëshminë ta japë me këtë datë, pas Vendimit të Gjykatës, më 21.02.2025, e cila e ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë që ta urdhërojë Kryeministrin e vendit që të paraqitet para objektit të PSRK-së.
Këtë Vendim e ka marrë gjyqtari i procedurës paraprake, Valon Kutaj.
Ndonëse ishte thirrur për të dëshmuar tri herë nga Prokuroria, çka kishte rezultuar pa sukses për organin e akuzës – pa një zgjidhje për ta bindur kryeministrin Kurti për të dhënë dëshmi për rastin e rezervave shtetërore në objektet e Prokurorisë Speciale – atëherë Prokuroria i ishte drejtuar Gjykatës.
Prokuroria kishte kërkuar nga Gjykata që të nxjerrë Vendim për urdhërimin e dëshmitarit, Albin Kurtit, që të paraqitet në objektet e Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshmi – lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Kurti nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë