Albin Kurti dhe Isa Mustafa Foto: Haki Abazi FB

Kurti sot takon Mustafën dhe Osmanin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i nominuari i kësaj partie për kryeministër të vendit, Albin Kurti ka njoftuar se sot do të takojë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidaten e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani.

Kurti e ka bërë të ditur këtë gjatë një interviste për media.

Me këtë takim fillojnë negociatat për formimin e qeverisë së vendit, pas zgjedhjeve të mbajtura të dielën e kaluar ku VV doli parti fituese dhe LDK u radhitë e dyta.

Ai nuk ka dhënë detaje, por ka thënë se do të diskutojnë për mundësinë e koalicionit qeverisës.

“I mbetet Vjosa Osmanit me fol”, tha ai.

Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmani dje kishte thënë se alternativa e vetme për qeverisje është koalicioni LDK- VV.

Takime ditë më parë ka paralajmëruar edhe Isa Mustafa.

“Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, Vjosa Osmani, do të takohemi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së”, kishte Mustafa në Facebook pas përfundimit të procesit zgjedhor./21Media