Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

Kurti: Situata në veri, rezultat i refuzimit të propozimit franko-gjerman nga Serbia

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, pas situatës së krijuar në veri të vendit tha se Serbia është e interesuar për të sabotuar dialogun.

Kurti tha se veprimet në veri të vendit nuk kanë të bëjnë me vendimin për targa apo suspendimin e komandantit të Policisë në veri, por me refuzimin që Serbia ia ka bërë propozimit franko-gjerman.

“Ajo çfarë po ndodh tani shpjegohet me përpjekjen e Beogradit për ta kamufluar refuzimin që ata ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit. Nuk ka të bëjë as me asociacion as me suspendimin e Nennad Gjuriq e as me vendimin për targa. Serbia po vazhdon t’i përdor ata që vazhdojnë ta dëgjojnë ende ata. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe rruga që ka zgjedh Serbia është në bashkëpunim me grupet kriminale serbe dhe kjo nuk është rrugë e paqes. Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme sepse shtetit ynë do të jetë i fortë”- tha Kurti.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.