Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Situata në veri mund të përshkallëzohej në konflikt të armatosur

Në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur, “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.

Kurti ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel. Sipas tij, në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.

Kryeministri ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.

Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për komunat me shumicë serbe, ai ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.

Radio Evropa e Lirë: Të shtunën, Policia e Kosovës u përball me një sulm të armatosur në veri. Sulmet janë të përsëritura. A po bëhet i vështirë qarkullimi i Policisë në atë zonë?

Albin Kurti: Nga viti i kaluar deri sivjet i kemi pasur 14 sulme në veri të Kosovës, me ç’rast dhjetë prej tyre kanë qenë kundër zyrtarëve policorë. Këto ndodhin prej elementeve kriminale, të cilat bëjnë kontrabandë, e që janë të përfshira në trafikime të ndryshme, ku dominon shpëlarja e parave, por sidomos droga.

Duhet të thuhet se jo vetëm kemi konfiskim të sasive të konsiderueshme të drogës, kemi edhe pesë laboratore të drogës që i kemi zbuluar dhe i kemi ndaluar në veri të Kosovës. Pra, është krimi i organizuar atje ai që rrezikon, jo vetëm rendin publik dhe sigurinë tonë kombëtare, por gjithashtu edhe organet tona të sigurisë dhe të rendit, përkatësisht Policinë e Kosovës, e cila me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe me guxim të pashoq është duke i bërë ballë dhe duke pasur sukses atje.

Nga prilli i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti kemi pasur 69 raste të iniciuara kundër krimit dhe kontrabandës në veri, me ç’rast janë realizuar 35 operacione të Policisë.

Radio Evropa e Lirë: Me gjithë këto sulme që po i përmendni ndaj Policisë së Kosovës, ende nuk e kemi parë që dikush është përballur me drejtësinë për këto sulme. Çfarë po bën shteti për të mundësuar qarkullim të sigurt të Policisë së Kosovës në veri të vendit?

Albin Kurti: Policia është hallka e parë e drejtësisë që duhet të vazhdohet më pastaj me Prokurori aktive dhe me gjyqësor efikas. Besoj që puna e madhe e Policisë do të pasohet edhe nga sistemi i drejtësisë.

Ndërkaq, për Policinë tonë ne jemi duke ndërmarrë të gjitha masat që ajo të jetë sa më pak e cenueshme, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm që rreziku zero nuk është i mundur.

Njëkohësisht bashkëpunojmë edhe me partnerët, aleatët ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in, por edhe me përfaqësitë diplomatike këtu që të kemi sa më shumë informacion e parashikueshmëri dhe rrjedhimisht sa më pak rrezik për policët tanë.

“Rusia po dëshiron ta përdorë Serbinë për ta sulmuar Kosovën”

Radio Evropa e Lirë: Në fundjavë, po ashtu, në veri të vendit u kap një shtetase ruse, e cila tashmë është shpallur e padëshiruar në Kosovë. A dihen qëllimet e saj brenda Kosovës?

Albin Kurti: Padyshim që qëllimet e saj nuk kanë qenë të mira. Dhe, këtë e kanë konstatuar edhe ata, të cilët e kanë intervistuar. Bëhet fjalë për një person të mirë njohur nga shumë shtete në Evropën lindore për veprimtarinë destruktive gjithnjë në funksion të Kremlinit zyrtar. Dhe nuk është e rastësishme që ajo u përpoq të vinte nga vendkalimi kufitar në veri të Kosovës. Pra, ishte në Serbi ku mbase ishte edhe e mirëpritur dhe që prej atje provoi të hynte edhe në Kosovë dhe organet tona e ndaluan dhe më pastaj edhe e dëbuan.

Nuk është e çuditshme që ajo vjen nga Serbia meqënëse Rusia po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për të destabilizuar Ballkanin dhe në veçanti [për ta] sulmuar Kosovën që është rast i suksesshëm edhe i intervenimit të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në pranverën e vitit 1999 edhe shembull suksesi i zhvillimit ekonomik me demokraci cilësore.

Të gjithë e dimë se në Serbi ekziston baza regjionale për Sputnikun në Beograd konkretisht dhe po atje brenda Ministrisë së Mbrojtjes ndodhet zyra e Ministrisë së Mbrojtjes e Rusisë. Ndërkaq 160 kilometra nga ky vend ku po e zhvillojmë intervistën, në Nish të Serbisë, është e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse me shumë agjentë dhe me shumë oficerë rusë, të cilët bashkë me ata serbë natyrisht kanë për synim se si ta destabilizojnë Kosovën, si ta cenojnë paqen dhe demokracinë, si ta rrezikojnë sigurinë për Kosovën dhe jo vetëm. Andaj, veprimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ishte i menjëhershëm, i saktë, i duhur dhe profesional.

Radio Evropa e Lirë: Por, a ka informacione për persona të tjerë të infiltruar nga Rusia, sidomos në veri të vendit? Gjithashtu e keni përmendur se ka informacione për dezinformata të qëllimshme të shpërndara nga Rusia sidomos për çështjen në veri. Çfarë dini për këtë dhe çfarë është duke bërë Kosova për t’i luftuar këto dezinformata?

Albin Kurti: Ata janë duke e udhëhequr një luftë hibride, e cila siç është dëshmuar në rastin e Ukrainës, nuk është zëvendësim për luftën tradicionale çfarë e njeh historia, por është fazë përgatitore për të.

Andaj, ne jemi shumë vigjilentë. Jemi të brengosur, por nuk jemi të frikësuar meqenëse mekanizmat tanë shtetërorë janë në nivel të detyrës dhe për nga cilësia e tyre padyshim që mund t’iu bëjnë ballë ndërhyrjeve të atilla.

Edhe në shtatorin e vitit të kaluar, atëherë kur u ngritën për herë të parë barrikadat gjatë qeverisjes sonë, e mbaj mend shumë mirë se shumë prej atyre serbëve të strukturave ilegale të Serbisë që paguhen nga Beogradi dhe dirigjohen prej andej, e kur dalin në rrugë shndërrohen në banda kriminale, kishin afërsi me Moskën po aq sa me Beogradin e shpeshherë edhe më shumë se aq.

Nga invazioni dhe agresioni rus në Ukrainë kemi këtë fenomenin kur ata që kanë marrë pjesë nga Serbia në luftërat në ish-Jugosllavi tashmë nuk janë vetëm nacionalistë e shovinistë serbë, por të njëjtën kohë edhe adhurues të presidentit despotik [Vladimir] Putin dhe mbështetës të tij.

Andaj, në masë të konsiderueshme, Kremlini nuk ka nevojë të sjellë agjentë rusë në Serbi shumë, ndonëse edhe këtë e bën, meqenëse ka jo pak serbë vullnetarë që e kryejnë këtë punë. Mbase edhe këto matjet e opinionit publik në Serbi janë duke na dhënë fakte shqetësuese që më shumë se dy të tretat e serbëve në Serbi kanë mendim pozitiv për presidentin despotik Putin dhe, në anën vjetër, mbështetja për Bashkimin Evropian ka rënë në një të tretën.

“Ka dyshime për përfshirjen e agjentëve rusë”

Radio Evropa e Lirë: A ka dyshime konkrete për agjentë rusë ose persona të infiltruar në Kosovë, sidomos që qëndrojnë në veri të vendit pas arrestimit që ndodhi në fundjavë?

Albin Kurti: Sigurisht që ka dyshime, mirëpo organet tona të inteligjencës dhe sigurisë grumbullojnë të dhënat dhe vetëm më pastaj veprojnë duke i dëbuar ata, për të cilët kemi dyshim të bazuar për të mos thënë edhe siguri, sepse kjo u përket edhe organeve të gjyqësorit se bëhet fjalë për njerëz, të cilët kanë ardhur ta luftojnë republikën tonë, demokracinë tonë e sigurinë tonë.

Barrikadat u vendosën edhe “për të qëlluar mbi automjetet”

Radio Evropa e Lirë: Edhe javën e kaluar, Kosova e kaloi një fundjavë me tensione. A mund të na tregoni se cilat ishin prapaskenat për marrjen e vendimit për shtyrjen e vendimeve për targat dhe për dokumentet hyrëse për shtetasit serbë?

Albin Kurti: Prapaskenat e tensioneve të 31 korrikut ishin skenat në Rashkë dhe Beograd ku u mbajtën mbledhjet përgatitore për ato 11[barrikada], plus dy barrikada, që u ngritën në veriun e Kosovës.

Kishim 11 barrikada në fshatrat e ndryshme dhe dy barrikata shtesë në urat te Liqeni i Ujmanit. Dhe së paku, nëntë barrikada janë ngritur brenda 10 minutave. Bëhet fjalë për një organizim dhe një përgatitje që nuk mund të jetë thjesht qytetare, por është shtetërore. Kjo është gatuar në Beograd që për më shumë se një muaj kishte zhvilluar fushatë se si me datën 1 gusht në Kosovë do të nisë e ashtuquajtura ‘Stuhia’, ngjashëm sikur në Kroaci dhe se do ta pasojë ferri në Kosovë.

Ata, duke qenë të vetëdijshëm se me datën 1 gusht nuk do të ketë asgjë të ngjashme, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se do të ketë vetëm një dokument që u lëshohet qytetarëve nga Serbia, jo të Kosovës, por [atyre] nga Serbia që vijnë me dokumente të lëshuara nga autoritetet atje, e shkaktuan një ditë përpara atë tensionim që kishte për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë rrezikimin e rendit publik dhe shkeljen e të drejtave të qytetarëve për liri të lëvizjes.

Këto barrikada që janë ngritur më 31 korrik e kanë një risi sepse për nga karakteri i tyre nuk janë thjesht barrikada për të penguar qarkullimin, por edhe për të qëlluar mbi automjetet që vijnë. Andaj në këto barrikada kishte njerëz të armatosur. Nuk bëhej fjalë për barrikada me njerëz civilë që, thjesht, pengojnë lirinë e qarkullimit. Bëhej fjalë për barrikada me njerëz të armatosur, të cilët e kanë vendosur barrikadën në një pozicion të tillë që është i favorshëm për të qëlluar mbi automjetet ose njerëzit që vijnë.

Nga këto 11 plus 2, gjithsej 13 barrikada të 31 korrikut kemi pasur dhjetëra shkelje të rënda të ligjit me të cilat po merren organet e shtetit dhe kishim edhe 11 shqiptarë të lënduar apo të maltretuar.

Intervistën të plotë mund ta lexoni këtu.