Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Situata e politikës së jashtme rrënjësisht tjetër në dallim me qeverinë e kaluar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  në seancën e Kuvendit ku po debatohet për politikën e jashtme ka folur për punën një vjeçare të qeverisë që ai e udhëheqë në këtë aspekt.

Ai u shpreh se gjendja në të cilën ishte politika e jashtme kur e kanë pranuar mandatin ka qenë e vështirë duke përmendur disa nga pikat në të cilat, sipas tij, nuk ishte punuar.

Sipas Kurtit, kësaj qeverie u është dashur vetëm një vit që situata e politikës së jashtme në Kosovë të jetë ‘rrënjësisht’ tjetër.

“Më 22 mars 2021 kur e filluam këtë mandat politikën e jashtme të Kosovës e patëm në një gjendje shumë të vështirë. Pas një viti kemi një situatë rrënjësisht tjetër. Kosova ka një përfaqësim dinjitoz”, u shpreh Kurti.

Ai tha se kur kanë pranuar mandatin Kosova nuk ka pasur përgatitje për aplikime për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, nuk ka pasur ndonjë analizë apo strategji për shtetet që ende nuk na kanë njohur, ka pasur mungesë të ambasadorëve në disa vende partnere dhe se mbi 50 për qind të shefave të misioneve kanë qenë nga çelësi politik gjë që, sipas Kurtit përbënte shkelje të ligjit për shërbimin e jashtëm.

Mirëpo, gjatë fjalimit të tij ai përmendi se ka filluar që të punohet në këto aspekte.

Kurti tha se janë thelluar raportet me partnerët e Kosovës.

“Kosova ishte pjesëmarrëse dhe nikoqire e ushtrimeve ushtarake të NATO-s defender europe 21. I dolëm në ndihmë partnerit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke strehuar 1449 refugjat afganë dhe i kemi hapur dyert për pesë mijë refugjat dhe 20 gazetarë ukrainas duke u rreshtuar njëkohësisht me të gjitha masat e ndërmarra nga vendet demokratike në raport me federatën ruse dhe me Bjellorusinë”, tha ai.

Tutje Kurti shtoi se Kosova është e para në rajon me përqindjen më të ulët të vdekjeve nga COVID-19 dhe e para në atë të numrit të lartë të vaksinimit, e që sipas tij qeveria e kaluar, ku qeveriste Avdullah Hoti, nuk ishte angazhuar për sigurim të vaksinave.

“Qeveria e kaluar nuk ishte angazhuar në arenën ndërkombëtare për të siguruar vaksina për qytetarët. Sot kemi përqindjen më të ulët të vdekjeve në rajon dhe atë më të lartë të vaksinimit”, tha i pari i Qeverisë.

Një nga temat që preku Kurti gjatë fjalës së tij ishte edhe dialogu me shtetin fqinj, Serbinë.

Ai tha se është hera e parë që Kosova është ulur si palë e barabartë në tavolinën e dialogut me Beogradin në Bruksel.

“E kthyem dialogun nga takimet e fshehta për ndarjen territoriale të Kosovës dhe përfshirjen e Serbisë si hisedare në burimet tona natyrore në një proces transparent që e ka njohjen reciproke në qendrën e saj. Qëndrimi ynë parimor në këtë proces ka bërë që edhe vet zyrtarët e BE-së ta thonë publikisht dhe për herë të parë se dialogu nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës por me normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ndër të tjera Kurti.

Tutje ai tregoi se me angazhimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës Kosova që nga marrja e mandatit të kësaj qeverie e deri më sot ka nënshkruar 85 marrëveshje ndërkombëtare të karaktereve të ndryshme.

Madje, Kurti tha se kjo ministri ka përpiluar një strategji që ka ndikuar në mos suksesin e Serbisë në fushatën e saj për çnjohje të Kosovës.

“MBJD-ja ka përpiluar strategji për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetet të cilat nuk kemi. Zbatimi i kësaj strategjie ka pamundësuar suksesin e të ashtuquajturës fushatë të çnjohjeve të Serbisë e cila nga 4 shtator të vitit 2020 deri më 4 shtator të vitit 2021 ka bërë fushatë në mbi 30 shtete dhe nga 5 shtatori i vitit 2021 deri më sot ka bërë fushat në rreth 20 shtete por pa sukses”, tha shefi i qeverisë.

Sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare Kurti tregoi se këtë vit Kosova do të aplikojë anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se kanë ndërtuar një grup i cili është duke punuar në aspektin e anëtarësimit në NATO.