Kurti - sindikalistëve: Do të themelojmë Gjykatën e Punës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se paga minimale duhet të përcaktohet bazuar në numrin e orëve të punës dhe të ngritet varësisht nga paga mesatare në sektorin privat.

Ai gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të sindikatave, paralajmëroi themelimin e një gjykate të punës me qëllim që shkeljet që u bëhen punëtorëve, të dënohen përmes saj.

“Roli dhe rëndësia e sindikatave duhet të rritet, ky është qëndrimi jonë themelor. Sindikatat dhe shteti janë partnerë për të rritur bashkëpunimin dhe jo konkurrente mes vete. Duhet që sindikatat të forcohen sepse të drejtat e punëtorëve zbatohen kur sindikatat janë të fuqishme. Kur kemi parandalim për shkelje të vogla, parandalohen edhe ato të mëdha. Të shumtë janë ata që tregojnë se punojnë pa kontrata, pa sigurim shëndetësor, pa kujdes nga shteti dhe pa identitet”, deklaroi Kurti.

“Tregu i punës duke përfshirë Ligjin e Punës, duhet të jetë i rregulluar ashtu që të promovojë të drejtat e punëtorëve dhe i fuqizon sindikatat. Ne do të themelojmë Gjykatën e Punës, për trajtim të konteksteve punëmarrës dhe punëdhënës sepse shkeljet e mëdha meritojnë dënim dhe ndëshkim. Kur kemi reagim për shkelje të vogla parandalohen edhe të mëdhatë”, tha ai.

Përfaqësues të sindikatave në vend kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me Ligjin për Pagat të cilin e quajtën diskriminues.

Ata i kanë kërkuar Kurtit që qeveria në krye me të, te jetë më bashkëpunueses me sindikalistët.

Pas gjithë asaj që u fol, Kurti në fjalimin e tij përmbyllës, u garantoi atyre se me qeverinë e re, fillon një kapitull i ri për sindikalistët, duke u solidarizuar kështu me ta.

KALLXO.com ka raportuar live nga bashkëbisedimi i Albin Kurtit me përfaqësues të sindikaleve, të cilën mund ta ndiqni të plotë në këtë link.