Kryeministri Kurti dhe ministri i jashtëm grek, Dendias/ Foto:ZKM

Kurti shtroi darkë për ministrin e jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shtruar darkë për ministrinë jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, njofton Qeveria e Kosovës.

Sipas njoftimit, gjatë darkës u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Gjatë darkës diskutuan për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve të cilat, siç tha kryeministri, po zhvillohen gjithnjë e më shumë. Kjo është dëshmi edhe e njohjes së vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe të demokracisë, shtoi ai”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Në komunikatë bëhet e ditur se duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti rikujtoi që 22 vende të Bashkimit Evropian dhe 26 vende të NATO-s, tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Kryeministri rikonfirmoi përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe theksoi nevojën për mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s”, njofton Qeveria.

Tutje, ministri i jashtëm grek, Dendias ka thënë se Greqia është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes ndaj rajonit duke shtuar se shteti grek do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Greqia është në mesin e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur ende as Spanja, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.