Albin Kurti | Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Kurti: Shoqëria jonë duhet t’i thotë vendosmërisht jo dhunës ndaj grave

Pas vrasjes së një gruaje nga bashkëshorti i saj mbrëmë në Prizren, ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai e ka quajtur rast shumë të dhimbshëm duke shtuar se përsëritja e rasteve të këtilla po tregon se kemi të bëjmë me një dukuri e jo rastësi.

Sipas Kurtit, shoqëria jonë duhet t’i thotë vendosmërisht jo dhunës ndaj grave, e jo t’i qaset asaj me pasivitet apo ambiguitet, siç kanë bërë shpesh organet e shtetit.

“Krimi është armik i shoqërisë e i zhvillimit. E institucionet duhet të ballafaqohen me krimin, për ta parandaluar apo për të vënë drejtësi”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimin e plotë të Kurtit mund ta lexoni më poshtë:

Edhe një grua e vrarë. Edhe njëherë nga burri i saj. Sërish mekanizma shtetërorë disi pasivë.

Kësaj radhe në Prizren. Ndryshon vendi në Kosovën që nuk po ndryshon. Rast i dhimbshëm sa s’ka, i padurueshëm, por, jo edhe i rastësishëm. Përsëritja e rasteve të këtilla tregon se kemi të bëjmë me një dukuri, e jo një rastësi.

Shoqëria jonë duhet t’i thotë vendosmërisht jo dhunës ndaj grave, e jo t’i qaset asaj me pasivitet apo ambiguitet, siç kanë bërë shpesh organet e shtetit.

Krimi është armik i shoqërisë e i zhvillimit. E institucionet duhet të ballafaqohen me krimin, për ta parandaluar apo për të vënë drejtësi.

Është për të ardhur keq, por shpesh shohim se institucionet tona kanë qasje të padrejtë, sidomos kur viktimat e krimit janë gratë. Nënvlerësimi i gruas, apo përbuzja, urrejtja e dhuna ndaj saj janë të papranueshme.

Shteti duhet të angazhohet për t’i çrrënjosur ato nga shoqëria, e në asnjë mënyrë nuk bën t’i lejojë të zënë vend në institucione.

Shpreh dhimbjen, solidaritetin dhe mbështetjen e Lëvizjes me të gjitha gratë viktima të diskriminimit, padrejtësive e krimit. Duhet të angazhohemi të gjithë që kjo gjë të ndryshojë. Urgjentisht!

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se vrasja me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 23:18.

Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet B.V., dhe viktima A.V., kanë qenë bashkëshortë, ndërkaq ende nuk dihet motivi i vrasjes.

Në vendin e ngjarjes është gjetur viktima, pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Poashtu, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë bastisjes kanë sekuestruar: një pistoletë, dy karikatorë si dhe 42 fishekë të pistoletës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa, gjatë ditës pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook se gruaja që ka mbetur e vrarë në Prizren është nëna Diellza Hotit, këshilltares së kabinetit të tij.

“Thellë i prekur nga vdekja tragjike e Armenda Aliut, mikes sonë dhe nënës së koleges nga kabineti Diellza Hoti. Ngushëllime familjes dhe miqve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime për vrasjen në Prizren dhe e ka quajtur të papranushme dhunën në familje.