Foto: ZKM
Kurti shkon në Shkup për të takuar homologun maqedonas
Kryeministri Albin Kurti do të takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sot më 05.08.2024.
Kurti ka udhëtuar për në Shkup bashkë me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se dy homologët do të deklarohen për media pas takimit.
“Realizimi i kësaj vizite është dakorduar më 20 korrik 2024” – thuhet në njoftim.
Ky takim vjen 4 ditë pas incidentit që i ndodhi Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit. Presidenca pretendon se sigurimi i Aeroportit ka tentuar të shtyjë fizikisht Presidenten, pasi që ajo nuk ka pranuar ta dorëzojë telefonin e saj, duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.
Lidhur me këtë, Ministria e Punëve të Jashtme i ka dërguar notë proteste autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për incidentin.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka dhënë version ndryshe duke thënë që brenda Aeroportit, presidentes Osmani vetëm i është kërkuar telefoni në mënyrë që të skanohet, por më pas një person nga sigurimi i presidentes është larguar nga punonjësja e TAV-së (kompania që menaxhon aeroportin), me qëllim që Osmani të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri”- shkruhet në reagimin e Ministrisë.
Ky institucion thotë se situata nuk përfundoi këtu, pasiqë pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi (polic) me dy persona të tjerë (policë) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes.
Kompania TAV, thonë se kanë respektuar rregullat, gjegjësisht që Ministria e Punëve të Brendshme ka udhëzuar që delegacioni t’i nënshtrohet kontrollit standard në aeroport.
Ata kanë hudhur poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi ynë nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin e presidentes, pasiqë në bazë të Dokumentit 30 të ECAC (Doc.30) dhe Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, të gjithë pasagjerët, bagazhet e kabinës dhe sendet e tyre personale që udhëtojnë në një fluturim komercial, si në këtë rast, i nënshtrohen kontrollit të sigurisë.
Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, deklaroi se ekipi i tij ka ndërhyrë vetëm për të qetësuar situatën, jo për të bërë ndonjë incident diplomatik dhe mendoj se gjithçka përfundoi ashtu siç duhej.
Pavarësisht këtyre, pas takimit që Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, gjatë pati me Ministren e Jashtme Gërvalla një ditë më vonë në Kosovë, ai tha se janë pajtuar se raportet ndërshtetërore janë të shkëlqyera.
Zëvendëskryeministri tjetër i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti ka shprehur keqardhjen e tij për sic tha ai “keqkuptimet qe kanë ndodhur gjatë udhëtimit të Presidentes Osmani” dhe ka shtuar se dy shtetet kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv, konstruktiv, pa pyetje të hapura dhe me dialog të sinqertë në të gjitha fushat.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), subjekt politik në Maqedoni të Veriut e ka cilësuar këtë rast “incident skandaloz diplomatik”.