Kurti: Serbinë do ta padisim për gjenocid

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paralajmëruar se së bashku me ekipin e tij është në përgatitje të padisë ndaj Serbisë për gjenocid për luftën e fundit në Kosovë.

“Ne me ministren e Drejtësisë, ekipin e saj dhe me këshilltarët e mi, kemi filluar punën për përgatitjen e padisë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë për periudhën e luftës së fundit dhe për këtë rast, do t’ju njoftojmë kur do t’i kemi të qarta afatet e këtyre përgatitjeve e që janë një përgatitje gjigante, sepse një rast i tillë, as nuk guxon, as nuk mundet, as nuk duhet të humbet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha ai para mediave.

Krimet e Serbisë në Kosovë, Kurti i quan krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, andaj ai thotë se e meriton dhe duhet të paditet shteti serb.

“Përgatitjet duhet të jenë tejet të mëdha në shumë aspekte, e që përveç tjerash, lidhen edhe me institutin për kryerjen e krimeve gjatë luftës. Themi kështu, sepse nuk janë vetëm krime të luftës, janë edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftë dhe kjo e meriton një pati, andaj përgatitjen e saj qeveria e Republikës së Kosovës e ka obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që i kanë plagët e hapura dhe që besa edhe ndaj ardhmërisë tonë që e kërkon një shtet demokratik e të drejtë”, theksoi Kurti.