Foto: ZKM

Kurti: Serbia po tenton të kthejë ndikim në Kosovë, Bosnje dhe Mal të Zi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetën zvicerane Tages-Anzeiger ka deklaruar se Serbia po tenton krijim të hegjemonisë pansllave në Ballkan.

Sipas tij, Serbia po tenton të kthejë ndikim në Bosnje, Kosovë dhe Mal të Zi.

“Serbia dëshiron Republikën Serbe në Bosnjë, Malin e Zi dhe veriun e Kosovës dëshiron ta kthejë në një sferë të ndikimit. Njëjtë siç sillet Rusia me Bjellorusinë dhe Ukrainën. Problemi ynë është se partnerët tanë perëndimorë besojnë se Serbia po udhëhiqet vetëm nga oportunizmi, se është në pritje të përfundimit të epokës së Putinit dhe pastaj do të orientohet qartë drejt Evropës. Kjo është naive”- është shprehur Kurti.

Gazetari Stephan Israel pyeti Kurtin edhe lidhur me deklarimet e  Shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili e akuzoi se është pengesa kryesore për bllokimin e bisedimeve të normalizimit me Serbinë dhe pse nuk i zbaton marrëveshjet si ato për autonominë e një asociacioni serb të komunave.

Kurti theksoi se Serbia insiston në Asociacionin e komunnave me shumicë serbe për ta bërë Kosovën sikur Bosnjen, të ketë shtet brenda shtetit.

“Në dhjetë vitet e fundit kemi nënshkruar 33 marrëveshje me Serbinë. Pothuajse asgjë nuk është zbatuar. Disa nga këto marrëveshje do të ishin edhe në interesin tonë, por Beogradi gjithmonë insiston në autonominë të komunave me shumicës serbe. Pse mendoni që është ashtu? Serbia dëshiron që Kosova, sikurse Bosnja, të ketë shtet në shtet me Republikën Srpska, pra të bëhet jofunksionale. I thashë Vuçiqit se nëse vërtet dëshiron të bëjë diçka për minoritetin serb, duhet ta njohë Kosovën. Ai nuk mund të thotë se Kosova është “shtet i rremë” dhe në të njëjtën kohë të kërkoj autonomi komunale brenda këtij shteti. Është si të porosisni çaj pa filxhan. Ne nuk jemi budallenj”- shtoi Kurti.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Vuçiq po pret kthimin e Donald Trump në SHBA më shumë se fundin e luftës në Ukrainë.

“Aleksandar Vuçiq më shumë pret kthimin e Donald Trump në Uashington sesa fundin e luftës në Ukrainë. 80 për qind e popullsisë ka një opinion pozitiv për Vladimir Putin. Serbia e sheh veten si pjesë e një sfere pan-sllave, ortodokse jashtë Evropës”- u shpreh tutje Kurti.

Tutje, Kurti potencoi se BE-ja duhet të mendojë nëse dëshiron të vazhdojë të japë fonde pa kushte.

Sipas tij, Beogradi nuk ka miratuar sanksionet kundër Moskës dhe merr gazin më të lirë nga Rusia. Ai shtoi se për Beogradin, marrëdhëniet me Rusinë dhe gjithashtu me Kinën kanë prioritet dhe kjo duhet të ketë një çmim.