Kurti: Serbia ndërhyri në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, kjo është cënim i demokracisë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare në Kosovës përmes qeverisë, inteligjencës e krimit të organizuar serb.

Këto deklarime Kurti i bëri në një konferencë e cila po mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës së bashku me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është një cënim që I bëhet demokracisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ajo ka ndikuar në përzgjedhjen e deputetëve serb dhe pakicave jo serbe e të cilat janë në kontroll të plotë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të qeverisë dhe inteligjencës serbe e të krimit të organizuar atje”- tha Kurti.

Ai shtoi se kjo situatë u krijua pasi në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ndryshoi dukshëm gjendja e sigurisë.

“Në zgjedhjet e fundit format e ndërhyrjeve kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore, si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, luftimit të grupeve kriminale dhe terroriste si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal e fizik përfshirë këtu edhe rrahjet dhe vrasjet nuk ka qenë i mundur më”- shtoi tutje Kurti.

Sipas tij, në zëvendësim të formave të kaluara që kanë përdorur strukturat serbe tani është bërë një zëvendësim i kërcënimeve dhe ato janë në forma hibride, përmes joshjes, kushtëzimit financiar, shantazheve, kërcënimeve por edhe sulmeve kibernetike.

“Vetë presidenti i Serbisë ka inkuadruar çdo aktorë shtetëror dhe jo shtetërorë serb, që të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës.  Për këtë qëllim rol ekzekutiv ka pasur krye terroristi Millan Radojiçiq apo njeriu që ka marrë detyrat për Kosovën nga presidenti i Serbisë. Aparati i Serbisë, ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme të dëmtoj subjektet rivale serbe veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit, Ministrit të Qeverisë sonë për Komunitete e Kthim dhe partinë e Aleksandër Arsenijeviq por po ashtu edhe votuesit e subjekteve tjera kryesisht rom e ashkali”- ka thënë tutje Kurti në konferencë.

Kurti gjithashtu foli edhe për rastet e shënuara në komunat që janë të banuara me shumicë serbe.

“Organet tona të rendit bazuar në dëshmitë e disa pjesëtarëve të komunitetit serb me 21 shkurt kanë bastisur dhe mbyllur disa të ashtuquajtura qendra për çështje sociale në katër komunat veriore që janë përdorur për të joshur apo shantazhuar votuesit nga radhët e komunitetit serb që të votojnë për Listën Serbe”- tha Kurti duke shtuar edhe për skemat e ndërhyrjes që ai pretendon se u bënë nga Serbia.

“Me këtë skemë të ndërhyrjes kemi identifikuar 7 instanca apo aktorë shtetërorë apo jo shtetërorë të Serbisë, i pari është Aleksandër Vuqiq, Millan Radojiqiq, Petar Petkoviq, Bia e Serbisë, Media serbe të kontrolluara nga pushteti në Beograd,Lista Serbe dhe së fundmi edhe struktura ilegale përfshirë këtu Bankën Postare Kursimore, qendra sociale, MTS, ish pjesëtarë të Policisë së Kosovë”- shtoi tutje ai.

Sipas Kurtit janë përdorur të paktën dhjetë metoda.

“Joshja financiare prej 170 eurove, në baza mujore për të gjithë personat e moshës madhore që janë pa punë. E dyta është kushtëzimi financiar përmes rrezikimit të humbjes të befinicioneve financiare, përçarja e rivalëve e Listës Serbe, shantazhi dhe presioni për të mos mbështetur në asnjë formë subjektet tjera përveç Listës Serbe, kërcënimet për tu larguar nga këshillat e vendvotimeve, regjistrimi i të ashtuquajturave votuesit e sigurtë, transporti i votuesve nga Serbia, votimi kolektiv në qendra të votimit, kontrollimi i votuesve gjatë ditës së zgjedhjeve dhe shenjëzimi i fletëvotimeve”- tha Kurti në konferencë.

Tutje ai shtoi se këto metoda janë realizuar në tri periudha, para fushatës zgjedhore e dyta gjatë fushatës zgjedhore dhe e treta në ditën e zgjedhjeve deri në përfundim të procesit zgjedhor.