Kurti: Serbia ka lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ushtria e Serbisë ka lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës, më 12.10.2024.
Sipas kryeministrit Kurti, me këtë veprim, Serbia e ka provokuar sërish Kosovën.
Megjithatë, ushtarët serbë ishin larguar pasi u vërejtën nga ekipet e sigurisë së Kosovës, njofton Kurti.
“Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre” – ka shkruar Kurti në Facebook, më 12.10.2024.
Kurti ka publikuar edhe disa fotografi në këtë njoftim, ku shihen disa ushtarë.
Tutje, kryeministri Kurti thotë se Qeveria e Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.
“Sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët e aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë” – ka shtuar Kurti.
Kurti mendon se Serbisë po i ngushtohet hapësira dita-ditës për këto “manovra” e “nxitje të tensionit” përmes veprimeve hibride, për të destabilizuar rajonin.
“Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës” – ka përfunduar Kurti.