Foto: Albin Kurti/Facebook

Kurti: Serbët duhet të na kërkojnë falje e mandej ne duhet të mendojmë t'i falim apo jo

Në Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se përpjekjet e shtetit të Kosovës për të zbardhur fatin e tyre kanë qenë ose të gabuara ose të mangëta, andaj të pasuksesshme.

“Fokusi tani duhet vendosur te familjarët e të zhdukurve. Kosova duhet të bëjë të pamundurën për të zbuluar fatin e 1641 të zhdukurve, por krahas kësaj, Kosova duhet të kujdeset për familjarët që bartin përditë dhimbjen e këtyre krimeve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Para takimit të 4 shtatorit në Washington të palës kosovare me atë serbe, Kurti ka përmendur se çka ka thënë njëra nga nënat e Gjakovës.

“Sot në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, gjendemi pesë ditë para takimit që do të mbahet në Washington D.C. Ky takim na kujton një prej bisedave që kemi pasur me nënat heroina në Gjakovë. Njëra na pati thënë: “Nëse shikon në sytë e nënave, ato nuk derdhin më lotë. Derdhin gjak. Serbët duhet njëherë ta na kërkojnë falje, të na i kthejnë trupat e të dashurve tanë, e mandej ne mundemi me u ndalë e me mendu a t’i falim apo jo?””, ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se shumë pak është bërë për të pagjeturit në Kosovë.

“Si asnjëherë më parë, le të ndalemi sot e të mendojmë sa pak kemi bërë për këtë kategori të luftës, e sa shumë që u kemi borxh atyre”, ka theksuar Kurti.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Albin Kurtit:

Me 30 gusht në botë shënohet dita ndërkombëtare e të zhdukurve. Andaj me kolegë nga Prishtina, vizituam shoqatën “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë.

Zhdukja me forcë e njerëzve është përdorur përgjatë viteve nëpër krejt botën (në luftëra e përtej tyre) si strategji që shkakton terror në shoqëri. Ndjenja e pasigurisë që rrjedh nga kjo praktikë nuk prek vetëm të afërmit e të zhdukurve, por gjithashtu ndikon në komunitetin dhe shoqërinë në tërësi.

Në Kosovë, ende janë 1641 persona të zhdukur nga lufta e fundit. Edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës, nuk dimë asgjë për fatin e tyre. Duke mos qenë asnjëherë prioritet i asnjë qeverie pas lufte, fati i të zhdukurve mbetet ende i pazgjidhur. Përpjekjet e shtetit të Kosovës për të zbardhur fatin e tyre kanë qenë ose të gabuara ose të mangëta, andaj të pasuksesshme.

Fokusi tani duhet vendosur te familjarët e të zhdukurve. Kosova duhet të bëjë të pamundurën për të zbuluar fatin e 1641 të zhdukurve, por krahas kësaj, Kosova duhet të kujdeset për familjarët që bartin përditë dhimbjen e këtyre krimeve. Këta familjarë kanë nevojë për kujdesje, përkrahje e mbi të gjitha për njohje të dëmit të vijueshëm që u është shkaktuar e po u shkaktohet ndër vite.

Me qeverinë e mirë në pranverën 2020 e kemi pasur prioritet çështjen e të zhdukurve dhe familjarëve të tyre, por planin tonë nuk arritëm ta çonim deri në fund. Atë do ta vazhdojmë me rikthimin tonë.

Sot në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, gjendemi pesë ditë para takimit që do të mbahet në Washington D.C. Ky takim na kujton një prej bisedave që kemi pasur me nënat heroina në Gjakovë. Njëra na pati thënë: “Nëse shikon në sytë e nënave, ato nuk derdhin më lotë. Derdhin gjak. Serbët duhet njëherë ta na kërkojnë falje, të na i kthejnë trupat e të dashurve tanë, e mandej ne mundemi me u ndalë e me mendu a t’i falim apo jo?”.

Si asnjëherë më parë, le të ndalemi sot e të mendojmë sa pak kemi bërë për këtë kategori të luftës, e sa shumë që u kemi borxh atyre.