Kurti: Sasia e informacionit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan është duke u shtuar

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se informacionet për vrasjen e trefishtë e cila ndodhi dhjetë ditë më parë në Gllogjan të Deçanit, janë duke u shtuar.

Sipas tij, për këtë po punojnë hetuesit më të mirë të vendit.

“Sasia e informacionit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar meqenëse hetuesit më të mirë tanë janë të përfshirë atje. Mirëpo, kur të kenë diçka konkrete sa i përket të pandehurit ose të pandehurve që e kryen këtë vrasje të trefishtë mizore, ne natyrisht se do të ju njoftojmë juve”, tha Kurti të hënën për gazetarë.

Sot janë bërë dhjetë ditë nga vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit. Deri më tani, organet e hetuesisë nuk kanë arritur të zbulojnë vrasësin ndërkohë nga ky sulm mbetën të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit i cili po udhëtonte nga Gjakova në drejtim të Deçanit.

Ditë më parë, Prokurorja e rastit, Sahide Gashi  në një intervistë për KALLXO.com konfirmoi se janë autorizuar hetimet e vëzhgimit ndërsa, tha se gjatë sulmit mendohet të jetë shkrepur një karikator me plumba në drejtim të autobusit.

24 orë pas vrasjes së trefishtë në Gllogjan, asnjë arrestim, policia në vendngjarje

www.kallxo.com