Kurti: Rusia po përdor dhunën seksuale si pjesë të strategjisë së saj ushtarake në Ukrainë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me përfaqësuesit e Rrjetit global të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, SEMA, ka shprehur keqardhje për të dhënat rreth krimeve të dhunës seksuale të raportuara në Ukrainë.

Ai ka thënë se raportet tregojnë se Rusia po përdor dhunën seksuale si pjesë të strategjisë së saj ushtarake në Ukrainë.

“Kurti tha se kjo na kujton luftën tonë të viteve 1998-1999 në Kosovë, dhe siç ndodhi këtu, dhe në të gjitha luftërat e tjera, numri i të mbijetuarve ka gjasa të jetë shumë më i lartë se sa sugjerojnë shifrat zyrtare, sepse krimet seksuale shpesh nuk raportohen, për shkak të stigmës që i rrethon”-ka njoftuar Zyra e Kyreministrit.

Ndërsa, përfaqësuesit e rrjetit SEMA, Iryna Dovgan dhe Volodymyr Shcherbachenko nga Ukraina, si dhe Pilar Rueda dhe Angela Maria Escobar nga Kolumbia, kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe mundësinë për të shkëmbyer përvojat lidhur me dokumentimin dhe drejtësinë për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës.

Kurti tutje ka theksuar se Qeveria e Kosovës, po punon ngushtë me institucionet si dhe organizatat e shoqërisë civile, në procese të drejtësisë tranzicionale gjithëpërfshirëse, të përqendruara te viktimat dhe me ndjeshmëri gjinore, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e të mbijetuarve të dhunës seksuale.

“Ai përmendi punën e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që u mundëson të mbijetuarve të aplikojnë për njohjen e statusit, e që garanton trajtim të sigurt të informacionit dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre”-thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se, duke veçuar kontributin e Vasfije Krasniqit, është theksuar domosdoshmëria e angazhimit të mëtejmë të përbashkët për të luftuar stigmën që rrethon dhunën seksuale gjatë luftës.