Kurti: Rruga Podujevë – Prishtinë përfundon në pranverë

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Podujevës më 15.01.2025.

Ai ka thënë se Qeveria e tij ndihmon kategoritë shoqërore e jo individë të veçantë, duke theksuar subvencionet për bujqit, grantet, armatimin për ushtrinë e të tjera.

Kurti dha një afat kohor edhe për përfundimin e punimeve në rrugën Podujevë – Prishtinë.

“Rruga Podujevë – Prishtinë përfundon në pranverën 2025. Kësaj pritjeje të gjatë po i vjen fundi sepse Qeveria jonë e mirë ka punuar edhe me problemet në mangësitë në shpronësime edhe me projektimet e këqija. Rruga kryhet përgjithmonë në pranverën e sivjetshme”- u shpreh Kurti.

Ndërsa, edhe gjatë këtij tubimi Kurti ka përmendur e kritikuar partitë opozitare në Kosovë.

“Partitë e tjera nuk janë në tokë të bukës. Me qeverinë tonë, në sofrën tonë e kemi bukën tonë. Rekord të mbjelljeve e të korrjeve në vitin 2024. Pasha bukën me neve edhe mbrapsht me qitë mbarë po del”- ka thënë ai.

“Kjo është qeveria që kujdeset për qytetarin. Pagat do të rriten serish nga korriku me 55 euro të gjitha kategorive. Kur kemi ardhë ne në qeverisje raporti mes pagës me të lartë dhe më të ulët ka qenë 20 me 1. Me qeverisjen tonë raporti ndërmjet pagës me të lartë dhe më të ulët në administratë bjen në 4 me 1” – shtoi Kurti.

I pranishëm në tubim ka qenë edhe kryetari i kësaj Komune, Shpejtim Bulliqi, i cili ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen duke thënë se Llapi “ia ka pa hairin” Qeverisë Kurti.

“Ky është vetëm fillimi, me qeverisjen e Kurtit në mandatin e ri do të realizojmë shumë projekte madhore duke filluar me impiantin e ujërave të zeza, e të tjera që do lënë gjurmë historike për komunën tonë”- u shpreh ai.

Kurti më 15.01.2025 ka mbajtur tubim edhe me qytetarët e Fushë-Kosovës.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre katër viteve si Qeveri i kanë shtuar vendit zhvillimin ekonomik, sigurinë, kujdesin social dhe kanë shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Kurti përmendi në detaje të arriturat dhe kujdesin shtetëror ndaj qytetarëve, duke theksuar se nuk ka pasur familje që nuk e ka ndjerë dorën ndihmëse të shtetit gjatë mandatit të tij”- thuhet në njoftim.

Ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve ta mbërrijnë numrin e 500 mijë votave anembanë Kosovës.

Përmes një njoftimi në Facebook, Kurti ka njoftuar se më 14.01.2025 ka qëndruar në Han të Elezit, prej ku ka kërkuar 500 mijë vota për LVV-në.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.