Foto: KALLXO.com

Kurti: Rritja ekonomike prej rreth 10%, të ndiqet me rritje të prodhimtarisë dhe eksportit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se rritja ekonomike në vend duhet të përcillet me rritje të prodhimtarisë dhe eksportit.

“Ekonomia e vendit tonë asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit, rreth 10 për qind dhe këtë duhet ta ndjekim me një rritje të prodhimtarisë dhe eksportit”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se “Rritja dhe zhvillimi i prodhimtarisë është motori për një ekonomi të qëndrueshme. Pasojat ekonomike të pandemisë, po përcillen edhe me luhatje të çmimeve. Pandemia na dëshmoi që prodhimi vendor ka rol kyç në ekonomi, pavarësisht nga kjo, prodhuesit tanë kanë treguar se vullneti dhe puna nuk ka munguar, por është dora e shtetit ajo që ka qenë e nevojshme”.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se sfidë tjetër është edhe gjetja e tregjeve të reja për eksport dhe plasimi i produkteve në këto tregje.

“Duhet të kemi kapacitetet e nevojshme prodhuese brenda vendit, ashtu që të ripozicionohemi në zinxhirin global”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, po mbajnë konferencë për media, në lidhje me operacionalizimin e masës 2.1-Subvencionimi i Kredive Investive – dhe masës 2.4 – Mbështetje e eksportit- të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Qeveria e Kosovës të mërkurën mori vendim për dyfishim të skemave sociale në Kosovë dhe rriti pensionet për 100 euro.