Foto: Albin Kurti, Manuel Sarrazin

Kurti, Rizvanolli e Kusari-Lila në darkë pune me emisarët e Gjermanisë dhe Austrisë për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetvendosje, Mimoza Kusari-Lila ishte i ftuar mbrëmë nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde në rezidencë, në një darkë pune se bashku me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Përfaqësuesin Special të Austrisë për Ballkan Perëndimor, Johannes Eigner.

Sipas komunikatës së qeverisë, gjatë darkës, u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

Po ashtu në këtë darkë, sipas komunikatës, temë diskutimi ishin edhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i marrëveshjes bazë të arritur në Bruksel dhe aneksit të saj të dakorduar në Ohër si dhe rruga përpara, në prag të takimit të radhës në nivel kryenegociatorësh që do të zhvillohet sot në Bruksel.

Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, sot pritet të takohet me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.

Ky takim do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim, siç është paralajmëruar palët pritet të diskutojnë për hapat drejt zbatimit të aneksit të marrëveshjes së dakorduar në Ohër.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si plani franko-gjerman.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Plani i Bashkimit Evropian është përkrahur nga Franca, Gjermania, Italia e SHBA-të, është diskutuar në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Përmbajtja e këtij plani është bërë publike tek më 27 shkurt të këtij viti.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila kërkohet më urgjencë si nga Serbia ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Sot në Bruksel pritet të takohen Bislimi dhe Petkoviq