Kurti: Rezistenca e familjes Jashari dhe figura e Ademit themeltare në historinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të shtetit, rezistenca e familjes Jashari dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare.

Ai ka thënë se qëndresa e familjes Jashari frymëzoi kombin mbarë për t’u çliruar nga Serbia dhe për ta ndërtuar shtetin e Kosovës.

“Ishte hera e tretë që familja Jashari sulmohej nga policia serbe dhe ishte hera e tretë që ajo rezistonte përballë trupave policore të Serbisë pushtuese. Por kësaj radhe qëndresa e familjes Jashari do të kthehej në rezistencë shembull që frymëzoi gjithë shqiptarët e Kosovës dhe kombin mbarë për t’u çliruar nga Serbia dhe për ta ndërtuar shtetin e Kosovës në liri”- ka thënë Kurti.

Në seancën solemne që po mbahet në Kuvendin e Kosovës në nder të Epopesë së UÇK-së, Kurti ka thënë se ngjarjet e marsit 1998, ngritën një ushtri për të luftuar për çlirimin e Kosovës.

“Pas 5, 6 dhe 7 marsit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të rritej si një ushtri vullnetarësh në të cilën do të mobilizoheshin të gjithë ata që kishin vullnetin dhe guximin për të luftuar për çlirimin e Kosovës”- ka thënë Kurti.

Kurti ka kujtuar një episod nga viti 1981, një bisedë të kryefamiljarit të familjes Jashari, Shabanit.

“Një profesor i kishte thënë Shaban Jasharit këto fjalë ‘për një muaj do ta kemi republikën e Kosovës o Shaban’, kurse Shabani mendjemprehtë ja kishte kthyer kështu ‘shiko more djalë po u bë kjo puna e Republikës sot e 80 vjet do të më dukej si me u pas bë sot’. Teksa po parashikonin formimin e Republikës, atyre nuk u ka shkuar në mendje që 42 vite më vonë kjo bisedë do të përmendej pikërisht në Kuvendin e Kosovës”- ka thënë Kurti në seancën ku i pranishëm është edhe vëllai i komandantit Adem Jashari, Rifat Jashari.

Ai ka kujtuar vitin 1982 kur Rifati dhe Hamza kanë shkuar në Turqi për të marrë pamflete politike për t’i shpërndarë në Kosovë e që shkruante “Kosova Republikë”.

“Më shumë se katër dekada ku kishte shpërndarë pamflete me thirrjen Kosova Republikë, bacën Rifat Jashari e kemi këtu mes nesh në Kuvendin e Republikës së Kosovës. E kemi këtu për t’i kujtuar bashkë me krerët politikë të Kosovës, me deputetët e zgjedhur prej popullit në kuvendit, si me gjithë qytetarët e vendit tonë se çfarë kishte ndodhur atëherë. Për 25 vjet rresht baca Rifat ka pritur dhe përcjellë pa numër delegacionet e njerëz që vizituan Prekazin dhe familjen Jashari” – ka thënë tutje ai.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë solemne për shënimin e 25 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë seancë solemne është edhe Rifat Jashari dhe familjar të tjerë të familjes Jashari.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 25 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.