Kurti: Remitancat e diasporës në Kosovë janë mbi 20% të bruto produktit vendor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky është viti i parë kur në kanalet zyrtare, diaspora do të dërgojë mbi 1 miliard euro, pa përfshirë këtu paratë kesh që i sjellin me vete dhe se remitancat e diasporës në Kosovë janë mbi 20% e bruto produktit vendor.

“Ndoshta diaspora irlandeze e turke sjellin më shumë para në vendlindje, por nuk besoj në këtë raport me bruto produktin vendor e buxhetin e shtetit”, tha ai.

Për mërgatën, kryeministri tha se është e ngjashme me diasporën turke në Gjermani dhe me diasporën irlandeze në Amerikë.

Albin Kurti është takuar me anëtarë të Odës Tregtare Kosovaro-Turke me të cilët ka diskutuar  mundësitë e investimeve në Kosovë.

Kurti ka njoftuar afaristët për kushtet, zhvillimin e biznesit në Kosovë dhe planet e  Qeverisë, të cilat janë investimin nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik e social, dhe tolerancës zero ndaj krimit dhe korrupsionit.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova e ka shkallën e ultë të inflacionit e cila paraqet rrezik të ultë për investitorët, dhe është importuese e madhe e mallrave të Turqisë.

“Kemi një raport diku eksport-import me Turqinë 1 me 40, tha ai, gjersa theksoi rëndësinë e rritjes së eksportit me Turqinë”.

“Ne ofrojmë huazim të tokave nga 10 deri në 99 vjet dhe shmangim tatimin e dyfishtë dhe gjithashtu i eliminojmë procedurat e gjata burokratike, me ç’rast në secilën komunë mund të hapet biznesi për vetëm tri ditë”, ka thënë kryeministri.

Tutje thuhet se  afaristët janë njoftuar edhe për funksionimin e zonave të veçanta ekonomike me infrastrukturë dhe lehtësira administrative, si në Drenas, Mitrovicë, Shtime, Therandë, Lipjan, Gjakovë dhe në Prizren me Parkun e Trajnimit dhe Inovacionit