Kryeministri Albin Kurti në konferencë për media 24.12.2024 | Foto: KALLXO.com

Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të shkaktuar sulme në veri të Kosovës

18:16

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka folur për moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 09.02.2025.

Kurti thotë se Lista Serbe e përfaqëson shtrirjen dhe përfshirjen e Beogradit në politikat e brendshme të Kosovës.

Tutje ai thotë se derisa nuk dorëzohet Millan Radoiçiq, Lista Serbe do të jetë krah i tij.

“Qëndrimi ynë nuk ka mundur të jetë ndryshe për Listën Serbe. Përderisa ka dëme që na i kanë shkaktuar nga dy sulmet, në Bansjkë dhe në ‘Ibër-Lepenc’. Lista Serbe po e përfaqëson shtrirjen e gjerë dhe përfshirjen e Beogradit më politikat tona të brendshme. Dega më besnike e partisë udhëheqëse në Serbi. Lista Serbe në pikëpamjen time nuk është shprehje e serbëve të Kosovës, por diktat i Beogradit që ka për shef Millan Radoiçiqin. Përderisa Radoiçiq nuk dorëzohet, Lista Serbe do të jetë krah i Radoiçiqit” – deklaroi ai.

Vendimin e anëtarëve të Vetëvendosjes në KQZ që të votojnë kundër certifikimit të Listës Serbe, Kurti thotë se është qëndrim i partisë.

“Ky është qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje përmes anëtarëve tanë, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, në KQZ. Nuk do mund të ishte ndryshe” – shtoi ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 09.02.2025.

Pas votimeve, me 2 vota për, 2 kundër dhe të të tjerëve anëtarë për mospjesëmarrje në votim, moscertifikimin e LS-së e konstatoi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Lista Serbe ka deklaruar se do të parashtrojë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasiqë nuk u certifikua për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë.

“Për këtë arsye gjatë ditës do të parashtrojmë ankesë në Panelin Zgjedhor dhe nga ta presim vendim të qartë i cili do ta hedh poshtë këtë vendim të pakuptimtë dhe anti-serb të Kurtit”- tha kryetari i kësaj partie, Zllatan Elek, përmes një konference për media, më 24.12.2024.

Elek tha se ky vendim nuk është aspak i bazuar në ligj dhe “është një dëshmi se sa shumë Kurti dëshiron t’i eliminojë serbët nga këto anë”.

“Kjo është shkelje institucionale dhe ligjore ndaj popullit serb sepse Kurti nuk dëshiron t’i shohë përfaqësuesit e Listës Serbe në parlamentin e Kosovës, por dëshiron që serbët t’i binden në parlament, sikur të ashtuquajturit ministra”- shtoi ai.

Sipas nenit 17 për shqyrtimin e aplikimeve për certifikim, pas pranimit të rekomandimit nga Zyra, KQZ-ja e miraton ose refuzon aplikimin për certifikim brenda shtatë (7) ditëve.

Sipas këtij neni, pas vendimit të KQZ-së, Zyra e njofton menjëherë aplikuesin me shkrim rreth statusit të aplikimit dhe në rast të refuzimit, ofron arsyetimin për refuzim dhe e këshillon aplikuesin për të drejtën e tij për t’u ankuar në PZAP brenda dyzet e tetë orëve.

“PZAP vendos për ankesën brenda dyzetetetë (48) orëve nga pranimi i saj”- thotë Ligji.

PZAP është organ i përhershëm, i pavarur kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor siç është caktuar me Ligjin Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, Ligjin Nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës dhe me Rregullat zgjedhore.

Aktualisht, anëtarë të PZAP-së, referuar faqes zyrtare të këtij organi, figurojnë: Zenel Leku si kryesues dhe Kymete Kicaj, Franciska Zhitija Ymeri, Hajriz Hoti, Arsim Hamzaj, Hidajete Gashi Alaj, Kujtim Pasuli, Bujar Muzaqi dhe Skënder Çoçaj, si anëtarë.

Edhe pse në shumë video në TikTok (shih këtu, këtu dhe këtu) ishte raportuar se Lista Serbe nuk do të jetë më pjesë e zgjedhjeve, Ligji ia lë në dorë PZAP-së që në përbërje ka gjyqtarë, që të vendos për partitë politike që do të garojnë në zgjedhje.

Lista Serbe, pavarësisht se në vitin 2022 i pati bojkotuar në mënyrë kolektive institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit, vendosi të aplikonte për të marrë pjesë në “Zgjedhjet 2025”.

17:53

Kryeministri Albin Kurti tha më 24.12.2024 se 15 sulme kanë ndodhur gjatë këtij viti.

“14 kanë qenë parapërgatitje për sulmin e 15-të, atë në kanalin e “Ibër-Lepencit”” – deklaroi ai.

Tutje ai shtoi se bazuar në institucionet e inteligjencës, prapa sulmit në kanalin e “Ibër-Lepencit” qëndron Millan Radoiçiq dhe se financiarisht dhe përmes logjistikës janë mbështetur nga Serbia.

“Dy grupe nga Mbrojtja Civile po trajnohen atje. Grupi i parë në realizim dhe tjetri në trajnim. Këto dy grupe janë koordinuar vazhdimisht. Janë evidentuar komunikime të koduara që po hetohen. Ndryshe prej Banjskës, Radoiçiq ka bërë alibinë duke takuar dy orë para sulmit me Listën Serbe. Me këtë takim të paracaktuar orvatet të sajojë alibi. Serbia përmes Vuçiqit është aktivizuar që ta fshehë këtë në forma të ndryshme. Pas sulmit, Radoiçiq ka shprehur pakënaqësi për rezultatet e sulmit, pasiqë ka pasur qëllim që kanali të jetë i pakthyeshëm” – tha mes tjerash Kurti.

Në konferencë, Kurti tha se më 28.11.2014 rreth orës 23:40 një granatë dore është hedhur në objektin e Komunës së Zveçanit.

Sipas tij, pak para kësaj ngjarjeje, në rrjetin social “Telegram” u shpërnda një shkrim, në të cilin mes tjerash thuhej: “A është thënë që ne sot do të festojmë ditën e flamurit? Do të thotë u përmbush urimi i zveçanasve për fqinjtë e tyre. Shihemi nesër në mbrëmje. Hajt mirë, deri në Bozhiq edhe një muaj”.

“Ky është postimi i tyre. Postimi që është bërë në ‘Telegram’, në kanalin ‘Koridor’ ku mes të tjerash shkruan: “Shihemi nesër në mbrëmje”. Ka qenë mesazh i drejtpërdrejtë për sulmin e palnifikuar në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’” – shtoi Kurti.

Tutje ai foli edhe për një sulm të datës 29.11.2024 dhe një tjetër të datës 30.11.2024.

“Më datë 29.11.2024, në ora 00:58, përsëri është postuar një shkrim tjetër me përmbajtje kërcënuese, e cila me shumë gjasë ndërlidhet me sulmin terrorist në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’ ku thuhet: “Do të jetë sërish ferr dhe Ibër i përgjakur, kur ujqërit të zbresin nga malet serbe”. Mbaron citati. Të nesërmen, më 30.11.2024, e njëjta fotografi ishte publikuar nga Nemanja Radivojeviq ‘Gandi’” – ka thënë tutje Kurti.

Kryeministri tha se këto janë të dhëna të inteligjencës dhe sigurisë nga organet vendore që dëshmojnë që Serbia është fajtore.

Kryeministri Albin Kurti dhe krerë të tjerë institucionalë vizitojnë vendin e shpërthimit në Ibër – Lepenc, 30.11.2024. Foto: Albin Kurti, Facebook

17:34

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë marr vesh se Millan Radoiçiq ka caktuar dy persona për të shkaktuar sulme në veri të vendit.

“Bazuar në informacionet që posedojnë institucionet e sigurisë në Kosovë, Milan Radojçiqi ka caktuar 2 persona të afër të tij, për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tyre, të cilët kanë marrë pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjskë të Zvecanit dhe strehohen në Serbi. Ata janë Nemanja Radivojeviq i njohur me nofkën Gandi dhe tjetri Vladimir Radivojeviq me nofkën Mami” – deklaroi ai.

Kurti i ka përmendur incidentet dhe sulmet që kanë ndodhur në veri që nga qershori i këtij viti, prej kur më datë 30 qershor kanë vendosur posterë me fytyrën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq e deri në fund të vitit.

Sipas tij situata në veri nuk mund të sfidohet përmes grupeve të modelit rus, “Njerëzit e vegjël të gjelbër”.

Megjithatë sipas Kurtit politikat agresive të Serbisë ndaj Kosovës “nuk po ndalen me sulme të tjera terroriste, por të organizuara në grupe më të vogla dhe në forma më të fshehta”.

“Që nga qershori i vitit 2024, kur kanë fillua të shpërndahen posterë me fytryrën e presidnetint ë Serbisë, Aleksandar Vuçiq me mbishkrime si ‘Komandant suprem, ju presim”, gradualisht është përshkallëzuar situata në 4 komunat në veri, përmes grupeve të vogla të lidhura direkt me Milan Radojiçin” – ka thënë Kurti.

Tutje ai shtoi se sulmi në kanalin e Ibër Lepencit ka pas qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjetike në Kosovë.

Kjo sipas tij për shkaktimin e trazirave.

“Sulmi me eksploziv në kanalin e Ibër Lepenc të datës 29.11.2024, përmes dëmtimit të tërësishëm të kanalit ka pasë për qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjetike në Republikës së Kosovës si dhe shkaktimin e trazirave që do të vinin si pasojë dhe ku do të rrezikohej siguria nacionale në Kosovë dh do të provokohej situata në rajon” – deklaroi Kurti.

Kryeministri kosovar tutje ka thënë se refuzimi i Serbisë për dorëzimin e Radojçiqit ka qenë inkurajim i grupit të tij.

“Refuzimi i Beogradit zyrtar për ta dorëzuar Milan Radojçiq, përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist më 24.09.2023, i cili ka pasë për qëllim okupimin e pjesës veriore të shtetin tonë, ka qenë inkurajim i grupit terrorist që i prin Raodjiciqi, për të vazhduar me akte të tjera” – shtoi ai.

Kurti ka shtuar se ka koordinim mes Serbisë dhe Rajoçiqit për luftë hibride ndaj Kosovës.

“Strehimi i Milan Radojçiqin në Serbi, përkrahje që i ofron atij Beogradi zyrtar, me infrastrukturë për trajnimit të grupit terrorist, autorizimi i përgjegjësive që i ka falur kreu i shtetit të Serbisë atij, edhe për kontrollon faktik e politik të serbëve të Kosovës, nuk mund të quhet ndryshe, përveç se koordinim i shtetit të Serbisë me MIlan Radojçiqin dhe grupin e e tij terrorist për ta zhvilluar më tutje luftën hibride ndaj shtetit tonë” – deklaroi Kurti.