Kurti qytetarëve serbë: Ne po i mbrojmë të drejtat tuaja nga veprimet diskriminuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një videoje në gjuhën serbe ka njoftuar se të hënën do të fillojë lëshimi i dokumentit hyrje-dalje në të gjitha pikat tona kufitare për qytetarët që posedojnë dokumente identifikuese të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Sipas Kurtit, Qeveria është e gatshme të ndihmojë qytetarët serb në lidhje me paqartësitë që ata mund të kenë.

Në video Kurti thotë po ashtu se këtë rregull Serbia ka filluar ta zbatojë para 11 vitesh.

“Nuk duam që këtë veprim tonin ta kuptoni ndryshe, përvec si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaja, si nënshtetas të Republikës së Kosovës. Obligimi jonë është që të mbrojë të drejtat tuaja nga veprimet diskriminuese të cilat sic janë kërcënim ndaj shtetit, janë kërcënime ndaj gjithë neve, si shtetas të tij”, tha Kurti.

Kurti ka njoftuar gjithashtu se në të njëjtën ditë, do të fillojë edhe procesi i regjistrimit të veturave që posedojnë targa ilegale, të cilat do të kthehen në targa RKS.

“Institucionet bartëse të këtij procesi kanë bërë përgatitjet e nevojshme ligjore dhe logjistike. Zyrtarët shtetërorë janë të përkushtuar që bashkërisht me ju, ta fillojnë dhe zhvillojnë këtë proces me sukses”, vazhdoi më tej kryeministri.