Kurti: Qytetarët na e besuan mandatin e ri të qeverisim me vendin

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, tha më 11.02.2025 se partia e tij ka shënuar fitore të padiskutueshme në zgjedhjet parlamentare të datës 09.02.2025 dhe se LVV prin në 21 komuna.

“Fitore e padiskutueshme, me vota cep më cep. Në 21 komuna prijmë si fitues, sipas rezultateve preliminare, pa votat me kusht dhe ato të mërgatës. Qytetarët na e besuan mandatin e ri të qeverisim me vendin, dhe puna e qeverisë së re vazhdon sapo të çertifikohen rezultatet”- u shpreh ai në rrjetin e tij social në Facebook më 11.02.2025.

Deri në certifikimin e rezultateve, sipas Kurtit, LVV do të kujdeset për ruajtjen e secilës votë të besuar nga qytetarët.

Ndryshe, një mosmarrëveshje është raportuar të ketë ndodhur gjatë numërimit të votave në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, më 11.02.2025.

Zëdhënësia e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, konfirmoi se ka ndodhur një mosmarrëveshje dhe se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Është pranuar një informatë për mosmarrëveshje. Policia është në vendin e ngjarjes. Për detaje ju njoftojmë”- tha Ahmeti për KALLXO.com.

Gjatë ditës së martë, më 11.02.2025, në Qendrat Komunale të Numërimit ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke publikuar në kohë reale numrin e votave të numëruara të subjekteve politike të zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025.

Me 99.53% të votave të numëruara deri në orën 17:20 të datës 11.02.2025, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 340 mijë e 641 vota apo 40.89%.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.05% të votave apo 183 mijë e 661 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.62% apo 146 mijë e 815 vota.

Koalicioni AAK-NISMA, Intelektualët, Konservatorët kanë 7.46% të votave apo 62 mijë e 111.