Kurti: Qeveria e përkushtuar për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të njeriut

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria që ai udhëheq është e përkushtuar për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të njeriut.

Këtë, Kurti e tha në takimin e Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit, e të kryesuar nga vetë Kurti.

Në këtë takim, sipas komunikatës për media të lëshuar nga Qeveria, Kurti citohet të ketë thënë se zotim i Qeverisë është që secili qytetar të përfitojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë nga politikat e nga programi qeverisës.

Ai tha se kjo do të arrihet nëpërmjet fuqizimit të rolit të gruas në shoqëri, ekonomi e trashëgimi, përmirësimit të cilësisë së mirëqenies të jetës së fëmijëve, garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, dhe përmirësimit të gjendjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Në këtë takim u diskutua për domosdoshmërinë e koordinimit të mëtejmë mes institucioneve dhe organizatave, dhe angazhimin e përbashkët për të hequr paragjykimet, për të luftuar varfërinë, investuar në edukim, banim e punësim dhe për të rritur barazinë e mundësitë për jetë më të mirë.