
Kurti: Qeveria e Kosovës ka planifikuar projekte kyçe infrastrukturore në Therandë
Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të fushatës zgjedhore ka mbajtur një tubim në Suharekë më 28.01.2025.
Në tubimin me qytetarë, kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi se Qeveria e Kosovës ka planifikuar projekte kyçe infrastrukturore në Suharekë, të cilës ai i është referuar si Therandë.
Ndërsa ka theksuar autostradën e re dhe digën në Dragaqinë.
“Qeveria e Kosovës ka planifikuar projekte kyçe infrastrukturore në Therandë, si autostradën e re dhe digën në Dragaqinë. Shumë projekte kapitale në Therandë mbulohen nga buxheti qendror por hiqet tabela treguese sepse provohen të përvetësohen. Rreth 88.5% e buxhetit të komunës së Therandës vjen si grant qeveritar, që është një dëshmi e përkushtimit të qeverisë tonë për ta ndihmuar Therandën, pavarësisht përkatësisë politike”- ka thënë ai.
Tutje Kurti ka thënë në qeverisjen e tij, prona e “Damper”-it iu kthye shtetit.
“Me ish-qeveritë, ish-punëtorët e Ballkanit për 20 vjet pritën shpagimin e djersës së tyre dhe prona e ‘Damper’-it pritej të bëhej supermarket. Me qeverinë tonë, pronën e ‘Damper’-it ia kthyem shtetit, shteti ia kaloi ushtrisë sonë, e me paratë që shteti i siguroi nga kjo, 20 vjet pas i pagoi ish-punëtorët e Ballkanit. Nuk ka grevë të punëtorëve, ka ushtri të Kosovës, mirëqenie dhe siguri për Therandën”- ka thënë ai.
Në mbledhjen e mbajtur më 30.05.2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore të IGK “Ballkan”, njësia “Damper” (ish-kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në komunën e Suharekës.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.