Kurti: Qeveria e ka bërë prioritet trajtimin e dhunës ndaj grave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku më Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë marrë pjesë në takimin konsultativ me temën “Përgjigjet institucionale ndaj dhunës kundër grave në periudhën post COVID-19”.

I pari i qeverisë në këtë takim tha se asnjë grua nuk duhet të jetoj me frikën e dhunës dhe se çdo vajzë duhet rritur duke e ditur që është e sigurt.

Ai tha neglizhenca e institucioneve për të ofruar urdhër mbrojtje ka dërguar deri tek vrasja e Diana Kastratit në vitin 2011 dhe tutje kujtoi disa nga gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës në familje.

“Në një formë ose tjetrën institucionet kanë dështuar që të ofrojnë siguri e drejtësi për shumë gra të vrara ndër to po i përmend disa si Dafina Zhubi, Antigona Morina, Valbona Marku, Donjeta Pajaziti, Zejnepe Berishën e para më pak se dy muajve e patëm edhe rastin e 18 vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani”, shtoi Kurti.

Ndërsa Ministrja e Drejtësisë njoftoi se vetëm nga fillimi i këtij viti janë 2 mijë raste të dhunës në familje të cilat janë raportuar.

Ajo tha se dhuna ndaj grave, dhuna në familje por edhe ajo në baza gjinore vazhdon të jetë fenomen shqetësues në shoqërinë tonë.

Kurti, çështjen e trajtimit të raste të dhunës në familje e sheh si problem të madh nëse shpresa për trajtimin e këtyre rasteve varet nga vëmendja mediale që ai rast merr.

“Edhe sa raste ka që qytetarët nuk i din, por që ndodhin çdo ditë. E pikërisht për këtë arsye kjo qeveri e ka bërë prioritet trajtimin e dhunës ndaj grave”, shtoi Kurti.

Haxhiu shtoi se vetëm 14% e grave janë pjesë e tregut të punës.

“Vetëm 13 ose 14 për qind e grave janë pjesë e tregut të punës. Kjo flet jo për përfshirje por përjashtim të gruas”, tha Haxhiu.

Që të dy premtuan se do të marrin përsipër obligimet që kanë për trajtimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës.

Ministrja e Drejtësisë u zotua që të mos ndalet deri sa të respektohet jeta dhe dinjiteti i gruas, ndërsa Kurti shtoi se pabarazitë e padrejtësitë e paragjykimit duhet të luftohen së bashku.

“Ne nuk kemi jetë grash e vajzash për të humbur e na nevojitet angazhim maksimal, bashkim i forcave të organeve shtetërore dhe prioritizim i rasteve të dhunës në familje ashtu që të kemi rezultat të suksesshëm”, shpjegoi Kryeministri i Kosovës.

Ky takim është organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Qendrën për Studime Gjinore.