Kurti: Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, partia e të cilit doli fituese e zgjedhjeve të djeshme, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për siç ka shkruar Kurti guximin treguar.

Kurti ka shkruar se “Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!”.

Ndryshe, të dhënat momentale të KQZ-së, tregojnë se deri më tani janë numëruar 95,88% të votave, apo 2442 vendvotime nga 2547 sa kanë qenë gjithsej.

Rezultati i fundit tregon se Lëvizja Vetëvendosje është e para me një rezultat 25,81%. Pas saj Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,07%. Partia Demokratike e Kosovës renditet e treta me 21,17% të votave.

 

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Mirëmëngjesi të dashur qytetarë,

Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falënderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë.

Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE!-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm.

Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike.

Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë.

Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua.

Sepse: Erdhi dita!

Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit.